Rusia tërheq disa njësi këmbësorie nga Ukraina pas inkursionit ukrainas në Kursk
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha të enjten se Rusia kishte tërhequr një pjesë të trupave, duke përfshirë njësi të këmbësorisë, nga Ukraina dhe po i zhvendoste ato në Kursk, por se Shtetet e Bashkuara nuk e dinin saktësisht se sa ushtarë rusë kanë lëvizur nga Ukraina lindore.
Megjithatë, një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se nuk duket se Rusia ka lëvizur një numër të mjaftueshëm batalionesh të blinduara ose lloje të tjera të fuqisë luftarake nga vija e frontit në Ukrainë në drejtim të Kurskit dhe se Moskës do t’i duhet të zhvendosë më shumë trupa për të zmbrapsur forcat e Kievit atje.
Më parë të enjten, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se trupat e vendit të tij kishin marrë kontrollin e plotë të Sudzhës, qyteti më i madh rus që bie në duart e forcave të Ukrainës që nga fillimi i inkursionit të tyre ndërkufitar më shumë se një jave më parë.
Megjithëse kishte një popullsi të paraluftës prej vetëm rreth 5,000 banorësh, Sudzha është qendra administrative për zonën kufitare të rajonit të Kurskut në Rusi dhe është më i madh se çdo qytet apo vendbanim tjetër që Ukraina thotë se ka marrë në kontroll që nga fillimi i inkursionit më 6 gusht.
Zoti Zelenskyy tha se Ukraina po krijonte një zyrë komanduese ushtarake në Sudzha, gjë që sugjeron se Ukraina mund të planifikojë të qëndrojë në rajonin e Kurskut për një kohë të gjatë, ose thjesht të sinjalizojë Moskën se mund ta bëjë këtë. Ai nuk shtjelloi se cilat funksione mund të kryente kjo zyrë, megjithëse tha në fillim të kësaj jave se Ukraina do të shpërndante ndihma humanitare për banorët e Sudzhës.
Rusia nuk iu përgjigj menjëherë pretendimeve të zotit Zelenski, por ministria e saj e mbrojtjes tha më herët të enjten se forcat ruse kishin bllokuar përpjekjet e Ukrainës për të pushtuar disa vendbanime të tjera.
Inkursioni i papritur ukrainas ka ndryshuar rrjedhën e luftsn dhe ka shkaktuar kaos në rajonin e Kurskut, duke çuar në evakuimin e më shumë se 120,000 civilëve, sipas autoriteteve ruse, dhe kapjen e të paktën 100 trupave ruse, sipas Kievit.
Zoti Zelenski ka thënë se një nga arsyet e inkursionit është mbrojtja e rajoneve fqinje të Ukrainës. “Sa më shumë të shkatërrohet prania ushtarake ruse në rajonet kufitare, aq më e afërt do të jetë paqja dhe siguria reale për shtetin tonë. Shteti rus duhet të jetë përgjegjës për atë që ka bërë”, tha ai të martën.
Rusia është përballur me sulme të mëparshme në territorin e saj gjatë luftës, por inkursioni në Kursk është dukshëm më i madh, më i shpejt dhe në të janë përfshirë brigada të ushtrisë ukrainase me përvojë lufte, që po qëndrojnë brenda Rusisë për një kohë më të gjatë. Rreth 10,000 trupa ukrainase janë të përfshirë në këtë operacione, sipas analistëve ushtarakë perëndimorë.
Inkursioni shënon gjithashtu herën e parë që trupat e huaja kanë pushtuar dhe mbajtur territorin rus që nga nga Lufta e Dytë Botërore, kur Gjermania naziste pushtoi pjesë të mëdha të Rusisë.
Megjithëse blogerët ushtarakë rusë raportuan se rezervistët rusë të dërguar në rajonin e Kurskut kishin ngadalësuar përparimin e Ukrainës, vazhdojnë të ngrihen pyetje nëse inkursioni mund ta detyrojë Moskën të lëvizë trupat nga pozicionet në Ukrainën lindore tek ato në Kursk. Ushtria ruse ka bërë përparime të ngadalta por të qëndrueshme në Ukrainën lindore këtë vit.
Ndërsa Kievi po trumbetonte arritjet e tij në Kursk të enjten, zyrtarët në qytetin lindor ukrainas të Pokrovskit, i cili kishte një popullsi prej rreth 60,000 banorësh para luftës, paralajmëruan civilët që të evakuoheshin përpara se trupat ruse të afroheshin me shpejtësi në një distance prej rreth 10 kilometra nga qyteti. Nëse trupat ruse pushtojnë Pokrovskin, ku ata janë përpjekur të thyejnë mbrojtjen e Ukrainës për javë të tëra, ato do të avanconin më tej drejt qëllimit të tyre për të marrë në kontroll të gjithë rajonin ukrainas të Donetskut./VOA