Rusia teston armën e frikshme (Foto)
Rusia ka testuar të premten raketën e saj të re balistike ndërkontinentale, derisa është duke vazhduar tensioni ndërmjet Moskës dhe Perëndimit.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka publikuar një video që shfaq lëshimin e raketës “RS-28 Sarmat”, e cila nga NATO ka marrë nofkën “Satan 2”. Lëshimi i kësaj rakete është bërë nga kozmodormi Plesetsk në Mirny.
Autoritetet ruse kanë thënë se këtë herë është përdorur teknika që njihet si lëshim i ftohtë, gaz i ngjeshur për të shtyrë raketën lart para se motorët e saj të hyjnë në aksion.
Duke e cilësuar lëshimin si një sukses, ushtria ruse ka përsëritur komentet e para disa javëve të presidentit Putin, i cili ka thënë se kjo raketë e re nuk ka limit të rrezes së veprimit dhe asnjë sistem mbrojtje raketore nuk mund ta ndalë.
“Satan 2” mund të mbajë disa testata bërthamore të cilat mund të godasin objektiva të ndryshëm dhe pretendohet se ka fuqi shpërthyese aq të madhe sa mund të shkatërrojë një sipërfaqe me përmasat e Teksasit. (TCh)