
Rusia thotë se do të bëjë armëpushim për evakuimin e civilëve
07 mars 2022
| 08:02
Rusia do të hapë korridore të reja humanitare nëpër disa qytete të Ukrainës për të lejuar evakuimin e civilëve, raportojnë mediet shtetërore.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, armëpushimi do të bëhet nga ora 10:00 – sipas kohës lokale – në kryeqytetin Kiev, si dhe në qytetet Harkiv, Mariupol dhe Sumi.
Të gjitha këto qytete janë duke u sulmuar nga forcat ruse.
Pala ukrainase nuk e ka konfirmuar ende armëpushimin.
Gjatë fundjavës, dy përpjekje për të hapur korridore evakuimi për civilët nga Mariupoli, dështuan.
Zyrtarët ukrainas fajësuan Rusinë, duke thënë se edhe gjatë orëve të dakorduara për armëpushim, ajo vazhdoi bombardimet.