Rusia thotë se dy komandantë të saj janë vrarë në lindje të Ukrainës
Rusia ka bërë me dije se dy komandantë të saj ushtarakë janë vrarë në luftimet afër qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Në një njoftim të rrallë për humbjet në fushëbetejë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, ka thënë të dielën se komandanti i brigadës së katërt të pushkëve të motorizuara, Vyacheslav Makarov, dhe zëvendëskomandanti i korpusit të ushtrisë për punë ushtarako-politike, Yevgeny Brovko, janë vrarë gjatë luftimeve në lindje të Ukrainës.
Ky njoftim vjen në kohën kur beteja të ashpra po zhvillohen për kontrollin e Bahmutit, qytet që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut.
Koloneli Makarov është vrarë teksa brigada e tij po zmbrapste sulmet nga trupat ukrainase në jug të vendbanimet Krasne, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një njoftimi.
“Dy sulme të armikut janë zmbrapsur”, u tha në deklaratë. “Teksa sulmi i tretë po zmbrapsej, komandanti i brigadës u plagos rëndë dhe vdiq gjatë evakuimit nga fushëbeteja”, ka njoftuar Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ndërsa Brovko është vrarë teksa trupat ruse po zmbrapsnin sulme gjetkë, ka thënë ministria, duke shtuar se ai “vdiq heroikisht, pasi kishte pësuar disa plagë nga copëzat e predhave”.
Duke iu referuar grupit të mercenarëve, Wagner, Moska ka thënë se “detashmentet e sulmit” kanë vazhduar të luftojnë për kontrollin e pjesëve perëndimore të Bahmutit, me mbështetjen e forcave ajrore, raporton “Rel”.
“Gjatë ditës së kaluar, armiku ka bërë përpjekje masive për të thyer mbrojtjen e trupave tanë në veri dhe jug të Artemovskit”, ka thënë ministria ruse, duke iu referuar Bahmutit me emrin që përdorin rusët.
“Të gjitha sulmet e forcave të armatosura ukrainase janë zmbrapsur”, ka pretenduar Moska.
Rusia rrallë ka pranuar humbjet në fushëbetejë.
Vitin e kaluar, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se 5 937 trupa ruse ishin vrarë gjatë luftimeve edhe pse analistët ushtarakë kanë thënë se Moska ka tentuar që të fshehë shkallën e humbjeve që po pëson në Ukrainë.