Rusia thotë se ka penguar një sulm me dronë në një rafineri të naftës
Sistemet e mbrojtjes ajrore të Rusisë kanë shkatërruar disa dronë teksa këto fluturake po i afroheshin rafinerisë së naftës Ilski, që gjendet në rajonin Krasnodar, thanë zyrtarët.
Ky rajon rus ndodhet në afërsi të Detit të Zi.
“Disa dronë tentuan t’i afroheshin territorit të rafinerisë së naftës Ilski në Krasnodar Krai”, thanë zyrtarët e emergjencave të këtij rajoni përmes një postimi në Telegram.
“Që të gjithë këta dronë janë shkatërruar dhe infrastruktura e rafinerisë nuk është dëmtuar”.
Zyrtarët rusë nuk thanë se kush e ka kryer këtë sulm, teksa Reuters nuk ka mundur të konfirmojë në mënyrë të pavarur këto pretendime të Rusisë, raporton REL.
Një ditë më parë, Moska tha se Ukraina ka sulmuar një tubacion të naftës brenda territorit të Rusisë. Kievi pothuajse asnjëherë publikisht nuk merr përgjegjësinë për sulmet brenda Rusisë apo në territoret e kontrolluara nga Rusia brenda Ukrainës.
Rafineria Ilski, që gjendet afër portit Novorisisk në Detin e Zi, ka një kapacitet të prodhimit prej 6.6 milionë tonësh në vit. Kjo rafineri ka qenë cak i disa sulmeve gjatë këtij muaji.