Rusia thotë se mbrëmë i rrëzoi 114 dronë të Ukrainës
Rusia ka neutralizuar 114 dronë të lëshuar nga Ukraina gjatë natës, teksa të paktën një person është vrarë gjatë sulmeve, thanë zyrtarët më 21 qershor.
“Sistemi rus i mbrojtjes ajrore ka detektuar dhe shkatërruar 70 dronë mbi Krime dhe në Detin e Zi, 34 dronë mbi rajonin e Krasnodarit dhe një dron mbi Volgograd”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate.
Në Krasnodar një punonjës i një stacioni të ngrohjes u vra kur një dron goditi ndërtesën pranë stacionit të trenit në Juzhni, tha përmes një postimi në Telegram guvernatori i këtij rajoni, Venyamin Kondartyev.
Ukraina, që po përballet me pushtimin që Rusia nisi ndaj saj më shumë se dy vjet më parë, muajt e fundit ka intensifikuar sulmet në territorin rus, duke shënjestruar ndërtesa të energjisë.
Sulmet ruse me raketa dhe dronë që kanë goditur ndërtesat e energjisë të Ukrainës kanë dëmtuar kapacitetin për gjenerimin e energjisë nga shteti dhe kanë bërë që të ketë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë. Këto sulme po ashtu kanë detyruar Kievin që të importojë energji elektrike nga Bashkimi Evropian./REL