Rusia thotë se mund të bllokojë edhe ‘Viber’-in
Ministri i Komunikimeve i Rusisë, Nikolai Nikiforov, ka thënë se gjykata mund të bllokojë aplikacionin e mesazheve “Viber”, nëse ky i fundit ndjek shembullin e shërbimit të mesazheve “Telegram” dhe refuzon të ndajë të dhënat me Shërbimin Federal të Sigurisë ruse.
“Nëse Shërbimi Federal i Sigurisë ka probleme me sigurimin e mjeteve koduese, ai mund t’i drejtohet gjykatës dhe të marrë urdhër të ngjashëm nga gjykata”, u ka thënë Nikiforov gazetarëve, pasi është pyetur nëse “Viber” mund të ketë fatin e njëjtë si Telegrami.
Muajin e kaluar, rregullatori shtetëror i medieve në Rusi, Roskomnadzor, ka nisur ndalimin e “Telegram”-it.
Ky i fundit ka refuzuar të ndajë të dhënat me Shërbimin Federal të Sigurisë ruse, duke u thirrur në shqetësimet për privatësinë, dhe ka premtuar se do ta mbajë aplikacionin në funksion përkundër ndalesës.
Masa për të bllokuar “Telegram”-in ka thelluar shqetësimet se Qeveria ruse po synon t’iu mbyllë rrugët kritikëve, në vitin kur presidenti Vladimir Putin ka nisur mandatin e ri gjashtëvjeçar.