Rusia thotë se Ukraina e sulmoi me raketa amerikane me rreze të gjatë

19 nëntor 2024 | 14:28

Rusia ka thënë se Ukraina e ka goditur me raketa amerikane me rreze të gjatë, një ditë pasi Uashingtoni i ka dhënë leje për kryerje të sulmeve të tilla.

Ukraina ka përdorur Sistemin e Raketave Taktike Ushtarake (ATACMS) në sulmet në rajonin rus Brajansk këtë mëngjes, ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Moskë.

Pesë raketa janë rrëzuar dhe njëra është dëmtuar, dhe pjesët e saj kanë shkaktuar zjarr në një objekt ushtarak në rajon, është thënë në një deklaratë.

Kjo është hera e parë që raketat me rreze të gjatë janë përdorur në territorin e Rusisë, dhe sulmet janë kryer pak pasi Uashingtoni është raportuar t’i ketë dhënë leje Ukrainës për t’i përdorur sistemet ATACMS në Rusi.

Të hënën, Moska ka thënë se çdo sulm i tillë do të nxiste “një përgjigje adekuate”.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se sulmet janë nisur rreth orës 03:25 sipas kohës lokale.

Sipas saj, zjarri që është shkaktuar nga dëmtimi i njërës raketë është shuar shpejt dhe nuk ka viktima.

Ushtria e Ukrainës ka konfirmuar më herët se e ka sulmuar një qendër municioni në Brajansk, mirëpo nuk ka treguar nëse i ka përdorur raketat me rreze të gjatë.

Më herët gjatë ditës, presidenti rus, Vladimir Putin i ka miratuar ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë, duke vendosur kushte të reja nën të cilat shteti mund të përdorë arsenalin e vet bërthamor.

Sipas doktrinës së re, secili sulm prej një shteti jobërthamor, që përkrahet nga një fuqi bërthamore, do të konsiderohet sulm i përbashkët ndaj Rusisë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dashurinë për Xhulin, i dashuri i saj nuk po e…