Rusinovci: Qeveria e re të hartojë sistemin e vlerësimit për bujqësinë
Qeveria e re, e cila pritet të formohet pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, duhet të investojë më shumë në bujqësi. Kështu mendojnë ekspertë të kësaj fushe, të cilët pohojnë se zhvillimi i bujqësisë duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të qeverisë së re. Sipas tyre, është mëkat që arat në Kosovë mbesin djerrinë, në kohën kur importi i produkteve bujqësore është shumë i lartë.
Pavarësisht se Kosova ka sipërfaqe të konsiderueshme të tokës pjellore, asaj i “migrojnë” miliona euro çdo vit, si pasojë e importit të produkteve bujqësore.
Ekspertë të bujqësisë pohojnë se ndër prioritetet kryesore të qeverisë së re, duhet të jetë investimi në bujqësi. Profesori universitar, Shukri Fetahu, ka thënë për Radio Kosovën se investimi në bujqësi shpaguhet, andaj edhe sipas tij, zhvillimi i këtij sektori duhet të jetë prioritet.
“Me prioritet duhet të jetë prodhimi i ushqimit dhe qeveria në bazë të analizës duhet t’i japë prioritet bujqësisë. Pse prioritet? Sepse s’ka të keqe më të madhe në Kosovë se m’i pa arat djerrinë. Nëse është mungesë e buxhetit duhet të shtohet ai dhe të zhvillohet bujqësia. Të gjithë kemi nevojë për ushqim, dhe ky është prioriteti. S’ka tjetër prioritet, në rendë të parë, përveç sigurisë”, ka thënë ai.
Edhe profesor Imer Rusinovci, mendon se qeveria e re duhet të kujdeset më shumë për bujqësinë dhe shtimin e prodhimeve vendore.
Ministri i Bujqësisë që del nga këto zgjedhje, bujqësinë duhet ta trajtojë me një tretman më të duhur në raport me të kaluarën, për faktin se rezultatet në terren nuk po na përkojnë më ulje të importit. Kjo dukuri është marramendëse për vite të tëra në Kosovë dhe që nuk është shumë e justifikueshme për prodhime të caktuar”, tha ai.
Për profesor Rusinovcin, hapi i parë që qeveria e re duhet të ndërmarrë për zhvillimin e bujqësisë, është hartimi i një sistemi të vlerësimit.
“Qeveria e Kosovës duhet të hartojë dhe të realizojë një sistem të vlerësimit, i cili po na mungon tash e 20 vite. Kosova e cila në 20 vitet e kaluara nuk ka arritur të hartojë një sistem vlerësimi të potencialeve prodhuese që ka, konform konditave klimatike, nuk ka çka të bisedojë më tutje për planifikimet e mundshme për këtë ose ato lloje të caktuara”, ka thënë Rusinovci.
Profesorët universitarë të bujqësisë, Imer Rusinovci e Shukri Fetahu, vlerësojnë se duhet të rriten investimet në bujqësi e njëkohësisht edhe të vlerësohen apo edhe ndryshohen format e subvencionimit të bujqve.