Russell: Kur kalova fundin para syve më kaloi e gjithë karriera ime në Formula 1
Piloti britanik George Russell arriti ta presë i pari vijën e finishit në garën e Brazilit zhvilluar në pistën e Interlagos, suksesi i tij i parë në karrierë në Formula 1.
Një festë e madhe për të dhe skuadrën Mercedes, që korri suksesin e parë sezonal. Që kjo do të ishte fundjava e përkryer për Mercedesin u kuptua që ditën e shtunë, kur Russelli fitoi garën sprint.
“Ishte një ndjesi fantastike dhe një falënderim i madh shkon për skuadrën, që bëri të mundur këtë sukses të dyfishtë”, ka thënë Russelli, që la pas shokun e tij të skuadrës Lewis Hamilton, i dyti.
“Ky sezon ka qenë me shumë emocione dhe e tillë ishte edhe kjo garë. E kontrollova garën dhe arrita një fitore të madhe edhe pse Lewisi ishte i shpejtë. Gjithsesi, në fund fitova dhe pasi kalova vijën e finishit dhe po kthehesha në bokse, para syve të mi kaloi e gjithë karriera ime. Falënderoj të gjithë ata që më dhanë mundësinë të arrija këtë fitore”, ka deklaruar Russel.