Russell: Me Kimi Antonellin jemi një dyshe interesante

03 shkurt 2025 | 12:46

Te Mercedesi presin një vit të vështirë pas largimit të Lewis Hamilton për te Ferrari. Vendin e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1 e zuri 17-vjeçari italian Kimi Antonelli, ndaj ky pritet të jetë një vit tranzicioni te skuadra gjermane.

Kjo edhe për faktin se të dy pilotëve, tjetri është britaniku George Russell, u skadon kontrata në fund të këtij viti. Ndërkohë që, nga viti 2026, do të nisë një epoke e re, me rregulla e makina të reja, ndaj ky vit do të jetë thelbësor për të dy pilotët.

“Vendin e Lewis nuk e zë dot asnjë pilot në qarkullim, por unë dhe Kimi do të mundohemi të mbajmë Mercedes në vendin që i takon. Shpresoj që përvoja e këtyre viteve të më ndihmojë mua dhe atë”, ka thënë Russell. “E njoh rolin tim të pilotit më me përvojë dhe kjo të bën të kuptosh që nuk je më një i ri. Unë jam duke hyrë në një kapitull të ri në karrierën time. Po mbaroj fillimin dhe po hyj në fazën e mesme. Lewis ishte 29 vjeç kur iu bashkua Mercedesit dhe filloi të fitonte të gjitha kampionatet, ndërsa Michael Schumacher ishte 30 vjeç te Ferrari. Në ditët e sotme të gjithë fillojnë gjithnjë e më të rinj”, ka shtuar Russell.

Më tej, britaniku ka thënë: “Kam debutuar në moshën 20-vjeçare, por tani ndihem gati të marr përgjegjësi brenda ekipit. Gjëja më e rëndësishme është të ngasësh sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ndihem në një pozicion të mirë për ta bërë këtë. Do të vazhdoj të mësoj, të jem i hapur dhe të mos marr asgjë si të mirëqenë. Ju ose keni shpejtësi ose nuk keni, por nuk ka dyshim se djemtë që vijnë do të jenë konkurrues”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mërgim Vojvoda do të largohet nga Torino dhe do të…