Russell: Red Bulli ka shpejtësi edhe më të madhe, nuk e shfaqin pasi kanë frikë nga FIA
Ky sezon i Formula 1 do të jetë tërësisht i Red Bullit, që i ka fituar të tri garat e zhvilluara deri më tani, duke shfaqur epërsi ndaj rivalëve.
Madje, duke llogaritur edhe vitin e kaluar, makina Red Bull ka fituar 13 nga 14 garat e fundit të Formula 1 (Mercedes fitoi në Brazil). Te Mercedes kanë konfirmuar prej kohësh që Red Bull do t’i fitojë të 23 garat sezonale, pasi janë të bindur për epërsinë që ata kanë.
Madje, piloti i ri britanik George Russell, ka shkuar edhe më tej, duke thënë se rivalët nuk po shfaqin gjithë potencialin e tyre. Për BBC, Russell shprehet: “Jam i sigurt se Red Bull po fshihet. U vjen zor të shfaqin gjithë potencialin e tyre. E dinë mirë se sa më shumë diferenca të kenë me ne dhe sa më të të shpejtë të jenë aq më shumë FIA do të përpiqet t’i ndalojë në një mënyrë apo tjetër, me rregulla të reja”.
“Mendoj se ata janë shtatë të dhjetat më të shpejtë se në për xhiro. Nuk e mohoj se kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe për këtë meritojnë të përgëzohen. Ndaj, ne na duhet të përmirësohemi për të qenë si ata”, u shpreh George Russell.