Rutte flet për angazhim që Ukraina të futet në NATO, Grenelli i reagon: Populli amerikan është ai që po paguan
Kreu i aleancës ushtarake të NATO-s ka bërë thirrje për një “rritje” në mbështetje të Ukrainës, për ta vënë Kievin në pozicionin më të fortë për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme paqeje me Rusinë.
Duke folur në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Mark Rutte, ka paralajmëruar kundër zvogëlimit të mbështetjes për Ukrainën, duke thënë se është esenciale “të ndryshohet trajektorja e luftës”.
Rutte ka thënë se një fund i keq i luftës Rusi-Ukrainë do të çonte në “marrëveshje të Vladimir Putin me liderët e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës”. Nëse Ukraina do të humbiste luftën, ai ka shtuar ai, anëtarët e NATO-s do të duhej të shpenzonin triliona më shumë për mbrojtjen, shkruan “The Guardian”.
Ai ka folur pasi Donald Trump, ka kërcënuar Rusinë me taksa, tarifa dhe sanksione nëse një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk arrihet së shpejti.
Një marrëveshje paqeje duhet të jetë e qëndrueshme, ka thënë Rutte, duke shmangur përsëritjen e bisedimeve të paqes në Minsk në vitin 2014, të cilat janë pasuar, tetë vjet më vonë, nga pushtimi i plotë i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Rutte u ka thënë pjesëmarrësve në një mëngjes të organizuar nga Fondacioni Victor Pinchuk se “ekziston një angazhim që Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s”.
Por i dërguari i ri i Trumpit për misionet speciale, Richard Grenell është deklaruar kundër Rutte, ish-kryeministër i Holandës, duke kërkuar që anëtarët evropianë të NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre ushtarake.
Grenell ka parashikuar “një zhurmë të madhe në Amerikë” nëse sekretari i NATO-s do të fliste për futjen e Ukrainës në NATO kur “populli amerikan është ai që po paguan për mbrojtjen”.
“Nuk mund t’i kërkoni popullit amerikan të zgjerojë ombrellën e NATO-s kur anëtarët aktualë nuk po paguajnë pjesën e tyre të drejtë dhe kjo përfshin holandezët, të cilët duhet të rrisin”, ka thënë Grenelli.
Rutte është pajtuar se Evropa kishte “nënshpenzime në aspektin e mbrojtjes”, siç ka thënë shpesh Trump.
Rutte ka rënë dakord se situata duhej të ndryshonte dhe paralajmëroi se jo të gjithë anëtarët e kanë arritur objektivin për të shpenzuar 2 për qind të GDP-së për mbrojtjen, që ai ka thënë se ishte tashmë shumë i ulët.
“Ne jemi të sigurt tani, por NATO kolektivisht nuk është në gjendje të mbrohet në katër ose pesë vjet nëse i përmbahemi 2 për qind”, ka thënë ai.