Rutte nga Tirana përkrah hapjen e negociatave, ngre shqetësim për ndërhyrjet ruse në Ballkan
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka vizituar të mërkurën Shqipërinë.
Në këtë shtet ai ka thënë se ky vend ka bërë përparim në vitet e fundit. “(Përparimi) ka qenë kaq i madh dhe bëri të mundur që ne të themi po”, ka thënë Reutte duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbështetjes që Holanda po ia jep Shqipërisë për t’i hapur negociatat.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, është thënë se gjatë takimit të dy kryeministrat kanë diskutuar për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe për iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkan). “Ne kemi një marrëdhënie pune shumë pozitive. Impakti i Holandës në Shqipëri rritet vit pas viti. Kemi folur me kryeministrin për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, për luftën kundër krimit të organizuar. Përparimi i bërë në këtë bashkëpunim do të rritet si pasojë e rritjes së kapaciteteve të këtij bashkëpunimi”, u shpreh Rama.
Rutte tha se e përkrah çdolloj procesi integrues të rajonit.
Kryeministri i Holandës tha se priten zgjedhjet e së dielës në Bullgari për t’u siguruar që së paku të nisin dy konferencat ndërqeveritare. “Jam shumë i lumtur që kemi qenë në gjendje që ta hedhim hapin e parë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Është e vërtetë që për të nisur zyrtarisht konferencën e parë ndërqeveritare është thelbësore që ta zgjidhim bllokimin nga ana e Bullgarisë”, ka thënë Rutte.
Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut ka ngecur në Këshillin e BE-së, pasi Bullgaria ka vendosur veto për shkak të mospajtimeve që ka me Shkupin zyrtar.
Sofja pranon gjuhën dhe identitetin maqedonas, por vetëm pas vitit 1945, para kësaj periudhë, ato, sipas saj, kanë pasur “rrënjë bullgare”. Për këtë arsye disa shtete anëtare të BE-së kanë kundërshtuar që të hapen negociatat vetëm për Shqipërinë.
Edhe kryeministri shqiptar theksoi se duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë. “E falënderoj mikun tim Mark për kontributin personal në komunikimin me palën bullgare, e sikur të tjerët që po bëjnë përpjekjet që ta afrojnë pozicionin e Bullgarisë drejt zgjidhjes, përpara se të mblidhet Këshilli Evropian në dhjetor”, ka thënë Rama.
Kryeministri holandez foli edhe për situatën në Bosnje në kohën kur ky vend është përfshirë nga kriza politike, pasi përfaqësuesit e Republikës Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe – nuk janë duke marrë pjesë në punën e institucioneve shtetërore. “Shqetësimi ynë është një influencë në rritje e Rusisë dhe Kinës dhe ne jemi të interesuar që perspektiva e BE-së të jetë e pranishme këtu, dhe jo perspektiva e lidhjes më të ngushtë me Rusinë, Kinën apo Turqinë”, ka deklaruar Rutte.
Moshapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut edhe nga shumica e zyrtarëve të BE-së po shihet si e dëmshme për besueshmërinë e bllokut evropian në rajon.
Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009.
Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 dhe prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim. Ajo ka marrë dritën jeshile për nisjen e negociatave por, megjithatë, asnjë datë nuk është vendosur se kur do të fillojë ky proces.
Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, tha të mërkurën se Tirana zyrtare ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për të nisur negociatat për anëtarësim në BE.
Pas një vizite treditore në Shqipëri, Santos lëshoi një deklaratë për media, ku u bëri ftesë të gjitha forcave politike në Shqipëri që ta vazhdojnë dialogun, në mënyrë që t’i ndihmohet vendit të ecë përpara në procesin e integrimeve evropiane. (rel)