Rutte: Putini nuk është i interesuar për paqe
03 dhjetor 2024
| 13:26
Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i interesuar për paqen, tha të martën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Duke folur përpara një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, Rutte tha se Putin “po ushtron presion, duke u përpjekur të marrë më shumë territor sepse ai mendon se mund të thyejë vendosmërinë e Ukrainës”.
“Ukraina po hyn në një dimër tjetër vendimtar. Dhe agresioni i Rusisë nuk tregon asnjë shenjë pakësimi. Përkundrazi, Putini po intensifikon retorikën dhe veprimet e tij të pamatura”, shtoi ai.
Sipas tij, Putin e përdor Ukrainën si një “sprovë për raketa eksperimentale dhe vendos ushtarë të Koresë së Veriut në këtë luftë të paligjshme”, transmeton Anadolu.