Rutte: Stabiliteti në Kosovë është në interesin e të gjithë neve

20 shkurt 2025 | 20:58

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se stabiliteti i Kosovës, por edhe i Bosnjës e i Serbisë, është në interesin e të gjithëve.

Këto komente, Rutte i bëri gjatë një bashkëbisedimi me studentë në universitetin “Comenius” në Bratisllavë, Sllovaki.

Ai u pyet specifikisht në lidhje me Kosovën në raport me ndryshimin e fundit të politikës ndërkombëtare amerikane, ku ka pasur thashetheme për mbylljen e Bondsteelit.

“Gjithçka që po marr nga sistemi në ShBA është se janë krejtësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe në angazhimet aktuale, por le të shohim se çfarë ndodhë. Gjithmonë mund të kemi ndryshime në politika apo ndryshime të vogla që mund të ndodhin gjithmonë, por nuk kam arsye të besoj se do të ketë njoftime dramatike”.

“Dhe më përgjithësisht për Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të sigurt që ta mbajmë nën mbikëqyrje, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje, stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve. Patëm zgjedhje në Kosovë, mendoj se ende nuk janë finalizuar, por duket se partia më e madhe që e qeverisi Kosovën praktikisht e vetme para zgjedhjeve, mund të duhet të bëjë koalicion. Të shohim se si do të shkojnë punët atje, por është një proces normal demokratik në formimin e koalicioneve”, deklaroi Rutte në këtë bashkëbisedim.

Ai foli edhe për Bosnjë e Hercegovinën, ku tha se ka disa çështje atje.

“Natyrisht e dimë se ka disa çështje në Bosnje. Unë jam në kontakt konstant me liderët kryesorë atje. Pata rastin të flas me dy nga tre anëtarët e presidencës së Bosnjës në Munih. Është rajon që ka histori të paqëndrueshmërisë dhe fatmirësisht tani, për shumë vite, kemi një stabilitet të fortë në atë pjesë të Evropës, në Ballkanin Perëndimor, dhe duhet ta ruajmë atë”, potencoi shefi i NATO-s, Mark Rutte. /Klankosova.tv

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokratike sonte në emisionin “DPT te…