RUZHDI SALIHU, DËSHMOR I PARË I UÇK-së NË KOMUNËN E SHTIMES

25 korrik 2024 | 10:17

Lulzim Sahiti

Fushat e malet e Zborcit, u bënë kështjella shekullore të lirisë, ku nën hijen e tyre u flijua heroi ynë, dëshmori i kombit Ruzhdi Salihu.

Ruzhdi Salihu u lind më 15 gusht të vitit 1961 në Zborc, fshat piktoresk që shtrihet rrëzë maleve të Blinajes dhe gjendet 6 kilometra në veri-perëndim të qendrës komunale të Shtimes. Nga shtatë fëmijë sa ishin, Ruzhdiu ishte fëmija i katërt i Islam Salihut nga Zborci dhe Hanife Sinanit nga Resinovci i Drenicës. Prindërit e tij ishin të paarsimuar, por rrjedhnin nga familje bujare shqiptare.
Lindja e tij kishte sjellë festë dhe gëzim në familjen Salihu ngase lindja e djalit, në traditën shqiptare të asaj kohe, do të thoshte vijimësi e ruajtjes së gjakut, emrit e pasurisë së familjes dhe në veçanti një pushkë më shumë në luftën kundër armikut.

Ruzhdi Salihu lindi në kohë të errëta të historisë së Kosovës. Ishin vitet kur Kosova ishte nën sundimin komunist të së ashtuquajturës Federatë Jugosllave. Pushteti i saj në Kosovë, në vitin 1945 ishte vendosur me dhunë, me djegie të pronave, me burgosje, me vrasje e masakra të shqiptarëve. Gjatë më shumë se pesëdhjetë vjetëve të sundimit, pushteti jugosllav mbante qëndrim jashtëzakonisht armiqësor ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe i konsideronte qytetarë të rendit të dytë të Jugosllavisë.

Familja e tij, sikurse shumica e familjeve shqiptare të asaj kohe në Zborc, jetonte nga bujqësia dhe blegtoria. Periudha më e bukur dhe më e pabrenga e fëmijërisë së Ruzhdiut ishte kur lundronte i lirë duke ruajtur bagëtinë në kullosat e pasura të maleve të Blinajes dhe trupi i tij i njomë zhvillohej e forcohej nga ajri i pastër i maleve dhe uji i ftohtë e i kthellët që posedonte fshati Zborc. Me trupin e zhvilluar dhe të bëshëm, ai ishte më i fuqishmi ndër moshatarë. As shokët e as më të rriturit se ai nuk mund ta rrëzonin në shpinë, gara këto të popullarizuara ndër fëmijë, që Ruzhdiu i pëlqente shumë. Veç fizikut, malet ia formësonin Ruzhdiut edhe karakterin e papërkulur dhe shpirtin liridashës.

Mbrëmjet zakonisht i kalonte duke dëgjuar historitë dhe këngët folklorike. Nëpërmjet tyre ai brumoset duke mësuar për trimëritë e Mic Sokolit, Azem e Shotë Galicës, Isa Boletinit, Ahmet Shtimes, Qorr Ilazit e shumë trima tjerë. Pra, qysh si fëmijë në familjen e tij u edukua me virtyte të larta atdhetare dhe u frymëzua për t’i dalë zot popullit të tij nën pushtimin serb.

Ruzhdiu mësimet e para katërvjeçare i mori në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren e kreu në shkollën fillore “Abdullah Shabani” në Carralevë. Më pas edhe pse në gjendje tejet të rëndë ekonomike, vazhdoi shkollën e mesme. Dy vitet e para i kreu në Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar në Shtime, ndërsa vitin e tretë dhe të katërt i mbaroi në Shkollën e Mesme Teknike në Ferizaj.

Fillimi i veprimtarisë së vrullshme patriotike te Ruzhdiu nisi si nxënës i shkollës së mesme me demonstratat e fuqishme që shpërthyen në Kosovë, në pranverën e vitit 1981. Ai së bashku me shokët e tij ishte pjesëmarrës në radhët e demonstruesve në Ferizaj, të organizuara më 3 prill të atij viti me kërkesën kryesore që Kosova të bëhej Republikë.

Në kulmin e nacionalizmit serb, gjegjësisht në vitin 1986-1987, Ruzhdiu ishte në shërbimin e rregullt ushtarak në Sarajevë, në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku situata e atëhershme politike në Kosovë ishte mjaftë e rëndë, meqë më 24 prill 1987, Sllobodan Millosheviqi kishte ardhur në Fushë-Kosovë, dhe me fjalimin e tij, nacionalizmi serb u legjitimua nga kreu më i lartë politik i Serbisë. Thjesht, fushatës së egër të Serbisë kundër Kosovës dhe çdo gjëje që lidhej me shqiptarët nuk po i shihej fundi. Të gjitha këto veprime kishin krijuar një situatë të urrejtjes së vazhdueshme ndaj shqiptarëve kudo që ishin. Andaj kjo gjë reflektohej edhe në mesin e shqiptarëve ku shërbenin në armatën jugosllave, gjë që solli rastin e Paraqinit, ku Aziz Kelmendi në mëngjesin e 3 shtatorit të vitit 1987, lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.

Në vitin 1988, Ruzhdiu shkoi për të punuar në Zrenjanin të Vojvodinës, ku punonte edhe vëllai i tij, Elmiu. Pas një kohe kthehet sërish në Kosovë dhe merr pjesë aktive në protesta e demonstrata që zhvilloheshin në vitet e 90-ta me rastin e suprimimit të autonomisë së Kosovës nga ana e regjimit kriminal serb.

Ruzhdiu në vitin 1992 me ceremoni e aheng dasme ishte martuar me Sanije Marevcin nga fshati Marevc i Lipjanit. Pas një viti jete bashkëshortore, më 19 nēntor 1993, erdhi në jetë fëmija i tyre i parë-djalë. Gëzimi i Ruzhdiut për lindjen e trashëgimtarit ishte i madh. Nga krenaria dhe dëshira që ai të bëhet një djalë i fortê e trim, e pagëzojnë me emrin shqip, Armend. Sikurse shumica e qytetarëve shqiptarë të asaj kohe, edhe Ruzhdi Salihu atdhedashurinë dhe dêshirën për ruajtjen e identitetit kombëtar e shprehte edhe nëpërmjet emrave të fëmijëve. Një veprim të tillë e bëri edhe me lindjen e vajzës më 1995, të cilën e pagëzojnë me emër të lules, Mimoza.

Duke qenë i zhvilluar fizikisht dhe i shkathët ai bie në sy të policisë së Shtimes, e cila kishte të dhëna për pjesëmarrjen e tij nëpër demonstrata dhe aktivitetet që asokohe zhvilloheshin kundër regjimit të Serbisë. Më 24 prill të vitit 1994, policët e Shtimes, duke qenë se kishin marrë një informatë të sigurt se Ruzhdiu posedonte një pushkë italiane, rreth orës 4:00 të mëngjesit, 17 pjesëtarë të policisë serbe i rrethojnë shtëpinë dhe fillojnë bastisjen. Me këtë rast, armën në fjalë ia kishin konfiskuar. Për këtë, Ruzhdiun, babain e tij Islamin dhe vëllaun Fefziun ata i torturojnë mizorisht në stacionin policor nê Shtime dhe ndërkohë nga gjykata serbe Ruzhdiu ishte dënuar me gjashtë muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Kosova nën pushtimin serb po përjetonte të gjitha format e shtypjes, terrorit e represionit shtetëror. Populli shqiptar diskriminohej, torturohej, plaçkitaj, jeta e tij ishte bërë e padurueshme. Ruzhdi Salihu ishte njëri prej atyre të rinjve tanë, i cili me tërë qenjen e tij u angazhua që ti gjej format e organizimit të rezistencës së armatosur, të luftës për liri.

Kështu erdhi pranvera e hershme e vitit 1998, e cila ishte e zjarrtë. Luftëra të rrepta dhe të përgjakshme ishin shtrirë gjithandej. UÇK-ja po organizohej gjithnjë e më shumë duke u mobilizuar në territore të ndryshme. Po kështu edhe në komunën e Shtimes.

Ky mobilizim u vërejt më tepër në fshatin Carralevë. Nga atje u dëgjua jehona e krismës së pushkëve që më 14 qershor 1998. Kushdo që njeh grykën e Carralevës e di mirë se fshati në të shumtën e rasteve është i shtrirë përgjatë grykës dhe dy shpatet e tij përfshin tre fshatra. Në të djathtën e tij, në drejtim të Prizrenit, në pjesën më të madhe ka Zborcin, ndërsa në të majtën e tij, Belincin dhe Rancën.

Atë botë, guximi për të fituar lirinë, filloi të shfaqej kudo në Kosovë. Të rinjtë e të rejat po rreshtoheshin në radhët e UÇK-së për të marrë armët e lirisë në shenjë kundërshtimi ndaj shtypjes, terrorit dhe okupimit serb. Ky guxim u pa edhe në fshatrat e Shtimes. Në Zborc, fillimisht, pjesëtarët e UÇK-së dolën me maska në kokë. Qëllimi i shfaqjes së tyre në këtë fshat ishte dhënia e mesazhit për mobilizim për çlirim të vendit. Këtij mobilizimi ju ishin përgjigjur të shumtë. Njëri nga ta, po në muajin qershor të 1998, nga po ky fshat, kishte vendosur t’i bashkohej radhëve të UÇK-së. Është fjala për Ruzhdi Salihun.

Gjënë e parë që bëri Ruzhdiu ishte ajo që i kishte mësuar jeta: “Nuk shkohet në mal pa sëpatë”. Ai siguroi një pushkë M48 nga kushëriri i tij, Afrim Azem Muharremi. Mandej si e do vendi e kuvendi, babai i Ruzhdiut, Islam Salih Salihu i nderoi shokët e tij të idealit me një odë, ku të mund të rrinin e pushonin. Me të drejtë mund të merret me mend se ai UÇK-së po u jepte një krah për të luftuar, ç’mbetet të kursej njeriu më pas. Kjo odë u shndërrua në çerdhe-shtab të parë të UÇK-së në Zborc.

Por për shkak të rritjes së vazhdueshme të UÇK-së, për nevojat e saja, UÇK-ja pas një kohe u vendos edhe në shtëpinë e braktisur të Isak Osman Muharremit, i cili aso kohe po jetonte në Ferizaj. Kjo shtëpi-shtab gjendej në Lagjen e Gjinovcëve, afër maleve të Blinajës. Të gjitha orenditë dhe shtrojë e mbulojë për nevoja të kësaj pike ushtarake janë siguruar nga banorët e kësaj lagje.

Komandant i kësaj Pike të UÇK-së, të vendosur në Zborc, ishte emërtuar Milaim Mehdi Beha, i njohur ndryshe si “Slloveni”, ndërsa zëvendëskomandant i tij Enver Ruzhdi Mehmeti.

25 korrik 1998, ditë e shtunë, ora 04:45, vetëm nëntë ditë pas ardhjes nga Shqipëria e 11 ushtarëve furnizues me armë, dhe ende pa u hapur të gjitha istikamet, forcat serbe nga pozicioni i tyre “Pishat e Shitmes” do të fillojnë granatimet me topa, minahedhës e tankse në drejtim të Zborcit, Belincit, Carralevës, Pjetërshticës…

Lufta e filluar në orët e hershme të mëngjesit do të kishte vazhduar deri në mbrëmje për t’u qetësuar më pas. Rreth orës 23:00, pjesëtarët e UÇK-së kishin nisur grupe-grupe (me ndërrime) të shkonin për të ngrënë darkë te rruga që shkon për Carralevë. Aty përjashta në natyrë shërbeheshin me ushqim nga i riu, Hafir Imri Bajrami, i cili e siguronte dhe sillte ushqimin nga Shtabi i UÇK-së dhe shtëpitë përreth. Me të përfunduar të darkës së vonë, ushtarët sërish ktheheshin në pozicione.
Në ditën e parë të luftimeve, nga veprimet kriminale të policisë dhe ushtrisë serbe është djegur për së gjalli në shtëpinë e tij, plaku i palëvizshëm 98-vjeçar, Haki Ilaz Ilazi, ndërsa si pasojë e granatimeve është plagosur banorja civile e fshatit, Mevlide Kadriu.

Dita e dytë e luftimeve, pra më 26 korrik 1998 (e diel) kishte filluar që në ora 7:00 të mëngjesit. Gjersa serbët po ndiznin tanket, luftëtari Ruzhdi Salihu i pari kishte shtjerë drejt tyre me pushkën M 48. Tankset e armikut lëvizin dhe më pas gjuajnë. Kështu kishin vazhduar deri rreth orës 10:00. Gjatë gjuajtjes nga ana serbe qe goditur bunkeri i poshtëm me një predhë dhe kishte bërë që të dilte tymi nga djegia e dushkut. Nga kjo goditje kishin marrë plagë: Sabit Nuredini, Haxhi Nishori, Brahim Brahimi, Ilir Qeriqi dhe Osman Zeqiri.

Pranë transheve dhe bunkerit një tanks dhe një autoblindë e forcave armike ishte afruar, kurse pas tyre shkonte një “Pragë” me plotë automjete tjera të blinduara. Ishin bërë mbi 30 orë luftime të pabarabarta dhe rreth orës 11:00, simboli i qëndresës Ruzhdi Islam Salihu duke u kthyer teposhtë tek pozicioni i tij, kishte gjuajtur në drejtim të forcave armike. Nga kundër sulmi armik, Ruzhdiu është goditur në pjesën e djathtë të kraharorit duke iu shkaktuar kështu plagë të rënda nga mitrolozi i forcave armike. Menjëherë ndihmën e parë ia kishin dhënë bashkëluftëtarët e tij: Shemsi Olluri, Hyvzi Gashi, Azem Kastrati dhe Naser Mehmeti.

Ndërkohë, luftëtari i lirisë, Ruzhdiu, me veturën “Toyota” ishte tërhequr prej vijes së frontit nga bashkëluftëtarët e tij: Shemsi Olluri, Arsim Haziri dhe Naser Mehmeti duke e transferuar së pari në ambulancën ushtarake që ishte në shkollën e fshatit Pjetërshticë.

Aty ndihmën e parë ia ka dhënë dr. Jakup Ismajli së bashku me infermierët e pranishëm, ndërsa më pas ushtarët: Arsim Haziri, Reshat Gashi dhe Shyqeri Iballi e kishin transferuar në pikën shëndetësore që gjendej në fshatin Gajrak të Malishevës te dr. Agim Hazrolli. Gjatë rrugës, Ruzhdiu, si pasojë e plagëve të rënda në krahëror kishte ndërruar jetë. Më pas trupi I të ndjerit atë natë është vendosur në xhaminë e fshatit Shalë. Duke pasur parasysh kushtet e rënda të luftës, të nesërmen, familjarët e të ndjerit së bashku me bashkëluftëtarët e tij, trupin e dëshmorit e varrosin pa ceremoni ushtarake në fshatin Resinovc. Me këtë rast, komandanti i UÇK-së, Shukri Buja ka mbajtur një fjalim kushtuar dëshmorit Ruzhdi Salihu.

Për merita të jashtëzakonshme në luftë, në vjeshtë të vitit 1998, është pagëzuar Batalioni i Dytë i UÇK-së me emrin e dëshmorit, Ruzhdi Salihu, të cilin e mbajti me krenari gjatë e pas luftës.

Pas përfundimit të luftës, trupi i dëshmorit, Ruzhdi Salihu u rivarros më 11 gusht të vitit 2000 në Kompleksin e Varrezave në fshatin Kleçkë, ku pushojnë në përjetësi dëshmorët e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”

Sot Shtimja është e lirë, kurse Kosova është shtet i pavarur e sovran falë sakrificës sublime të Ruzhdiut dhe dëshmorëve të tjerë, të cilët u bënë kurban në themelet e saj.

Për të mos vdekur kurrë dhe në shenjë nderimi për veprën madhore të tyre, në oborrin e shkollës fillore në Zborc, në vitin 2002 nga banorët e fshatit është ngritur lapidari i përjetësisë kushtuar dëshmorëve të lirisë dhe martirëve të fshatit Zborc.

Meqenëse Ruzhdi Salihu është dëshmori i parë i UÇK-së në komunën e Shtimes, Kuvendi Komunal, më 31 mars 2004 ka marrë vendim duke caktuar 26 Korrikun – Ditë të Dëshmorëve të UÇK-së të komunës së Shtimes, e cila tashmë shënohet për çdo vit.

Gjithashtu në shenjë nderimi dhe kujtimi të qëndresës fisnike të dëshmorit Ruzhdi Salihu, Kuvendi i Komunës së Shtimes, më 5 prill 2013 ka pagëzuar rrugën kryesore të fshatit Zborc me emrin e tij.

Bashkëluftëtarët e Ruzhdi Salihut nuk e harrojnë dot sakrificën e madhe të dëshmorëve të tjerë të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu” që pushojnë qetësisht në vargmalet e Berishës ata shpesh vizitojnë Kompleksin Përkujtimor të Dëshmorëve në Kleçkë, duke vënë kurora dhe bërë nderime mbi varret e tyre në Kosovën e lirë për të cilën u flijuan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga janari i këtij viti e deri më tash 61…