Sa e duam ne Shqipërinë e shqiptarët?
Shkruan: Sadik Zeqiri
Nga dita e djeshme, duke vazhduar edhe mbrëmë, po ashtu edhe sot, kanë vazhduar luhatjet e tokës në shtetin tonë Shqipërinë nënë. Sipas raportimeve dhe informatave zyrtare mbi 100 persona janë lënduar dhe me qindra ndërtesa e shtëpi banimi janë shkatërruar. Shteti shqiptar është ngritur në gjendje gatishmërie në qytetet e Shqipërisë së mesme si pasojë e lëkundjeve nga tërmeti, pra Tirana e Durrësi.
Sipas sizmologëve ende mund të ketë luhatje të tërmetit në këto qytete duke mos përjashtuar edhe komplet zonën bregdetare shqiptare.
Dhe ne shqiptarët e Kosovës ku jemi?
Dje gjithë ditën të gjithë liderët e partive politike, të gjithë kandidatët për kryeministër të Kosovës, kandidatët për deputetë që janë në garë për zgjedhjet e 6 tetorit kanë shprehur gatishmërinë për ndihmë dhe janë solidarizuar me shtetin shqiptar dhe popullin e saj pas tërmeteve të njëpasnjëshme. Por, këtu në Kosovë jemi në një kohë parafushate dhe këtu po vazhdojnë takimet mobilizuese me qytetarë për zgjedhjet e 6 tetorit dhe fatkeqësisht parafushata po vazhdon edhe kur Shqipëria po lëkundët nga tërmeti, në vend se të solidarizohemi me vëllezërit e motrat tona dhe shtetin shqiptar.
Prandaj, ne kemi gojën plotë patriotizëm por kjo duhet të shihet gjatë sprovave ditore e jo veç të përmendet Shqipëria në debatet televizive. Sot është dashtë të ndërpriten tubimet partiake, sepse edhe ashtu ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore. Do të duhej të solidarizoheshin të paktën në heshtje me tragjedinë natyrore që fatmirësisht deri më tani ka pasur pasoja në infrastrukturë dhe falë Zotit nuk ka viktima.