Sa herë i kujtoj Xhevë dhe Fehmi Lladrovcin më mbushen sytë me lot
Bisedë me zonjën Nurije Avdiu, drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Fushë-Kosovës
Nurije Avdiu që nga viti 2001 është drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Fushë-Kosovës. Sapo pati përfunduar lufta në Kosovë, së bashku me bashkëshortin, i cili kishte miqësi me Xhevë dhe Fehmi Lladrovcin, erdhën në Kosovën e shkatërruar fund e krye. Detyra e parë udhëheqëse në Kosovë, pas ardhjes nga Kroacia, iu dha në Malishevë, në drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pasi realizoi disa punë atje dhe i qiti në vend, erdhi në vendlindjen e vet në Fushë-Kosovë dhe në këtë komunë mori detyrën e drejtoreshë së Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nisi të hapë biblioteka e të organizojë aktivitete kulturore, rinore dhe sportive, të cilat i rrëfen në këtë bashkëbisedim, njëkohësisht kujton ditët e takimit me heronjtë Xhevë dhe Fehmi Lladrovci në Zagreb, të cilëve ua kishte qëndisur emblemat e UÇK-së për uniformë
Zonja Nurije, ku dhe kur i filluat aktivitetet e para kulturore?
Aktivitetet e para i kam filluar kur kam qenë nxënëse në shkollën fillore. Aty jam angazhuar në grupe të vallëzimit si dhe në grupin e recituesve. Disa herë edhe jam shpërblyer me çmime për paraqitje. Aktivitetin e tillë e kam vazhduar edhe në shkollë të mesme, pastaj në universitet si anëtare e Shoqërisë së Studentëve “Ramiz Sadiku”, pastaj ShKA “Bajram Curri” etj. Kam qenë e angazhuar edhe në grupin dramatik si aktore. Kam luajtur disa role në teatrin e qytetit të Prishtinës disa vjet me radhë, kurse dashuria dhe përkushtimi për kulturë ishte dhe është vokacioni im shpirtëror. Mendoj se kultura është ambasadorja më e mirë e një kombi. Prandaj, vazhdoj të punoj me përkushtim për kulturën dhe aktivitetet kulturore.
Keni dhënë kontribut edhe në themelimin e shkollës së parë shqipe me mësim plotësues në Kroaci. Mund të na flisni për atë kohë?
Në Kroaci (Zagreb) kam jetuar para dhe pas luftës së Kosovës. Jeta kulturore e studentëve atje ishte pak a shumë e organizuar. Angazhimi dhe aktivizimi i disa intelektualëve shqiptarë që jetojnë me vite në Zagreb bëri që të ndryshojë shumë jeta kulturore, por edhe sportive e të gjithë studentëve. E ndieja për obligim moral dhe atdhetar që së bashku me disa intelektualë shqiptarë që jetonin dhe vepronin në Kroaci t’u ndihmonin e t’i përkrahnin studentët shqiptarë, posaçërisht për aktivizimin e fuqishëm të Shoqatës së Studentëve “Shkëndija”. Disa vjet me radhë kam qenë anëtare e kryesisë së kësaj shoqate, më pastaj anëtare e kryesisë e Bashkësisë Shqiptare të Zagrebit. Me disa intelektualë shqiptarë formuam grupin iniciues për themelimin e dy institucioneve të rëndësishme për shqiptarët e Kroacisë, si: hapjen e shkollës shqipe (mësim plotësues) dhe bibliotekën shqipe të cilat u themeluan me shumë mund e përpjekje. Ato edhe sot e kësaj dite funksionojnë. Edhe sot e kujtoj me shumë nostalgji fillimin e funksionimit të shkollës shqipe. Në fillim ishte një numër i konsiderueshëm nxënësish, të cilët u shpëtuan nga humbja e identitetit të tyre, në veçanti fëmijët që vinin nga familjet e përziera. Unë isha mësuese dhe udhëheqëse e shkollës. Mësimi mbahej në lokalet e shkollës “Izidor Krshnjavi”, e cila ishte shkolla më e vjetër në Zagreb. Interesimi i nxënësve ishte për të mësuar e për të nxënë dije ishte i jashtëzakonshëm. Unë dhe kolegët e mi për vite të tëra punuam në atë tempull dije pa ndonjë përfitim financiar, sidomos në fundjavë vikendet, në mënyrë që nxënësit të mësonin e të mos e humbnin gjuhën e të parëve, gjuhën shqipe. E them shumë sinqerisht, se edhe tani kur po e bëjmë këtë bisedë, ndiej emocione të veçanta, por edhe një lloj krenarie e lumturie përbrenda qenies sime, kur rezultatet e punës dhe mundit të asaj kohe janë shpërblyer. A ka kënaqësi më të madhe sesa t’i shohësh se sa kanë mbërritur në dije e shkollim nxënësit që i ke edukuar dhe mësuar. Shumë prej tyre sot jetojnë dhe veprojnë në Kosovë dhe flasin gjuhën shqipe. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në institucionet më të larta shtetërore të Kosovës, si: në Gjykatën Kushtetuese, në Kuvendin e Kosovës, Presidencë dhe Qeveri. Gjithashtu, disa prej tyre janë angazhuar në arsim, shëndetësi, kulturë, biznes e fusha të ndryshme të jetës e të kulturës. I kam shumë të freskëta këto kujtime pune dhe angazhimi atje: bibliotekën e themeluam me libra të dhuruara nga qytetarët shqiptarë nga bibliotekat e tyre familjare si dhe me ndihmën e Ambasadës Shqiptare që gjendej në Zagreb. Dikur filloi punën me kapacitet të vogël, kurse sot punon me kapacitet të plotë.
Sa herë i kujtoj Xhevë dhe Fehmi Lladrovcin më mbushen sytë me lot
Zonja Nurije, ju keni punuar edhe uniformat e para të dy dëshmorëve të kombit, bashkëshortëve Xhevë dhe Fehmi Lladrovci. Mund të na shpalosni disa prej çasteve kur ata i veshën uniformat dhe u nisën për luftë në Kosovë?
Oh… Sa herë që më kujtohen më mbushen sytë me lot. Fehmiun dhe Xhevën (tani dëshmorë të kombit) i kishim miq shtëpie. Fehmiu me bashkëshortin tim ishin shokë të studimeve nga Zagrebi. Ishin shokë të pandarë. Xheva ma mori zemrën si një femër intelektuale dhe grua e fuqishme. Para se të fillojë lufta në Kosovë, ata flisnin vetëm për luftën dhe mllefin që kishin kundër Serbisë. Ata vendosën t’ia mësyjnë luftës kroate-serbe. U pajisën me uniforma dhe me dorën time ua kam qëndisur dy emblema, pastaj të gjitha uniformat e luftëtarëve të parë shqiptarë në këtë luftë të tmerrshme ashtu siç m’i kërkonte Fehmiu. Pas përfundimit të luftës kroate-serbe, që la pasoja të mëdha me të vdekur e të plagosur nga Brigada Shqiptare, Fehmiu dhe Xheva vazhduan rrugëtimin e tyre për të mos u kthyer më në Kroaci. E kam shumë vështirë të flas e ta shpreh dhimbjen që ndiej për humbjen e dy miqve të mi prej të cilëve mësova shumë. Kam shumë emocione në këto çaste që i kujtoj.
Malisheva dhe malishevasit më mahnitën me mikpritjen
Pas mbarimit të luftës jeni kthyer në Kosovë. Sërish i jeni përkushtuar kulturës, duke drejtuar Drejtorinë e Kulturës në Malishevë, komunë kjo që u shkatërrua në luftë. Cilat ishin prioritetet tuaja që ta ringjallni jetën kulturore në këtë komunë?
Bashkëshorti im ishte pjesëtar i UÇK-së. Pas mbarimit të luftës në Kosovë ai nuk u kthye më atje ku jetoi, studioi e veproi, në Zagreb. Unë isha e vetme atje ku punoja për ta mbajtur gjallë veten dhe familjen. Pas përfundimit të luftës vendosëm të kthehemi të dytë në Kosovë. Nga lufta ishte shkatërruar gjithçka në Kosovë. Edhe qytetin e Malishevës e gjeta të shkatërruar në shtator të vitit 1999. Ato ditë vetëm sa filloi të funksionojë komuna. U punësova aty me dëshirë dhe vullnet, që të kontribuoj bashkë me kolegët që gjeta aty për ngritjen e vetëdijes dhe rehabilitimit të tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore, të cilat i kishte ndërprerë lufta dhe katrahuara që kishte kapluar këtë komunë. Isha e lumtur që arrita të pranohem në një rreth të panjohur për mua, por me një kulturë të shkëlqyeshme të qytetarëve e me një mikpritje të përzemërt e cila ishte traditë e kësaj komune.
Gjatë punës sime që kam bërë atje krenohem edhe sot jo vetëm për aktivitetet kulturore dhe sportive, por edhe për krijimin e institucioneve të reja të kulturës, për hapjen e bibliotekës së qytetit dhe pë1r pasurimin e saj me fond librar. Gjithmonë i kam pasur për zemër gjurmimet arkeologjike. Aty në mes të Malishevës ndodhej tuma ilire, por nën mëshirën e natyrës. Ishte ideja ime që kjo tumë ilire të futej nën mbrojtje, e që sot e kësaj dite është thesar i çmuar për Malishevën. Organizuam edhe koncerte, shënime datash dhe përvjetorësh të personaliteteve letrare dhe atdhetare, hapëm konkurse letrare dhe dhamë çmime, riaktivizuan ShKA “Rifat Beirsha” etj.
Pastaj, pas një kohe të punës në Malishevë, kontributin e zhvendosët në qytetin e Fushë-Kosovës. Sot drejtoni Drejtorinë për Kulturë në Fushë-Kosovë.
Unë jam nga Fushë Kosova, dhe ëndërr e imja ka qenë gjithmonë të kontribuoj për qytetin tim, këtu ku u rrita dhe u shkollova. Në Fushë-Kosovë kam filluar të punoj në maj të vitit 2001. Po të njëjtën gjendje siç e gjeta Malishevën, e gjeta edhe në këtë qytet, i shkatërruar tërësisht nga lufta e fundit. Pasojat ishin aq të mëdha në njerëz dhe në infrastrukturë. Jeta kulturore thuajse nuk funksiononte. Me marrjen në menaxhim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport ia dhashë detyrë vetvetes të punoj dhe ta jap maksimumin në punë. Në radhë të parë, krijimi i institucioneve kulturore dhe sportive ishte parësor. Iniciova themelimin e bibliotekave në qytetin e Fushë-Kosovës dhe ndarjen e saj në sektorë, pastaj rehabilitimin e bibliotekës në Sllatinë të Madhe, në Bardh të Madh filluam ndërtimin e objektit të bibliotekës, ndërkohë pasurimin me inventarë dhe literaturë për të gjitha bibliotekat. Themeluam Arkivin e Qytetit, Muzeun e Fushë- Kosovës. Themeluam Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Zëri i Kosovës”, Teatrin “Qëndresa” dhe aktivizuam Festivalin e Teatrove. Në bashkëpunim me institucionet e larta të kulturës së Kosovës filluam edhe zbulimet arkeologjike në territorin e Komunës së Fushë-Kosovës, ku hasëm në shumë pika arkeologjike, siç janë të njohura tanimë jo vetën në Kosovë, por edhe jashtë, si: Kalaja e Bardhit të Madh, Varrezat Dardane në Graboc Kalaja e Harilaqit të cilat janë krenaria e kulturës së Fushë-Kosovës. Po ashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Muzeun e Kosovës, Institutin Arkeologjik të Kosovës kemi zhvilluar projekte të përbashkëta në arkeologji dhe kanë rezultuar të suksesshme, duke e shndërruar Kalanë e Harilaqit ndër pikat më atraktive për vizitorë nga vendorë dhe të huaj.
Që nga viti 2001, prej që udhëheq Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë themeluar mbi 22 klube sportive të cilat kanë rezultate kulmore në të gjitha arenat sportive brenda dhe jashtë Kosovës. Janë realizuar mbi dhjetëra salla sportive dhe turne në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar. Qindra projekte kulturore, festivale, koncerte dhe manifestime të ndryshme janë realizuar nën përkujdesjen time dhe të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Festivali Ballkanik i Folklorit ishte ide e imja të cilën arrita ta finalizoj vitin e kaluar, e që pati sukses të jashtëzakonshëm. Së këndejmi, jua kujtoj se Komuna e Fushë-Kosovës tashmë është e njohur për aktivitete kulturor edhe në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në shumë festivale të ndryshme, në të cilët kemi prezantuar kulturën shqiptare, edhe kemi marrë çmime dhe mirënjohje të ndryshme.
Kolegët ju quajnë njeri human. E keni të trashëguar?
Humanizmi im rrjedh nga kultura dhe tradita familjare. Babai im ishte njeri human. Shtëpia e tij para luftës, në kohën kur në Kosovë u mbyllën të gjitha institucionet shkollore nga regjimi i atëhershëm, ishte shkollë shtëpi. Shtëpia jonë u bë mësonjëtore e qindra nxënësve.
Ardhmëria e këtij vendi janë të rinjtë
Sa i ndihmoni të rinjtë për realizim të projekteve?
Shumë. Sepse ardhmëria e këtij vendi janë të rinjtë. Jam përpjekur dhe po përpiqem që të rinjtë t’i angazhojmë në institucione, në klube sportive, në ansamble kulturore. Duke ua dhënë këtë mundësi të pjesëmarrjes i largojmë nga bredhja rrugëve dhe nga dukuritë negative. Sot shumë të rinj i kemi të aktivizuar në festivale dhe punëtori të pikturës, filmit, muzikës e në kurse të ndryshme.
Sa vështirë e keni pasur të udhëhiqni kaq gjatë një drejtori me disa fushëveprimtari?
Kam qenë e vetmja femër drejtoreshë në Komunën e Fushë-Kosovës që nga viti 2001. Po të mos e kisha përkrahjen e kolegëve të mi s’do të kisha pasur mundësi të qëndroja në këmbë.
(Bisedoi: Ajete Zogaj)