Sa janë tarifat e Trustit për menaxhimin e kursimeve pensionale?
Rreth 1.7 miliardë euro është shuma e mjeteve të rreth 600 mijë kontribut-paguesve, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Por, këto para nuk menaxhohen falas.
Në pasqyrat e llogarisë për vitin e kaluar që janë dërguar nga ky institucion te personat që paguajnë pension, del se ky fond ndal mjete për dy tarifa, një për investime dhe një për operacione për kontribuuesit.
Tarifat caktohen varësisht nga bilanci që një kontribuues ka në llogari.
Sipas zyrtarëve të këtij Fondi, tarifa për investime shkon vetëm për menaxhuesit e mjeteve për investimet që bëhen jashtë Kosovës, pasi 90 për qind e këtij fondi janë të investuara jashtë Kosovës.
Kurse, tarifa për operacione mbulon të gjitha shpenzimet për nevojat e Trustit, siç është qiraja, mirëmbajtje llogarish, njoftimi me postë i kontribuuesve, paga, shpenzimet për zyrë e të ngjashme.
Jeton Demi, zëdhënës në këtë institucion, tregon për Radion Evropa e Lirë, se nëse një person ka mbi 10 mijë euro, ai do të paguajë për tarifën operacionale 7.81 euro në vit ose 0.65 euro në muaj. Por, kjo shumë shkon deri në 50 euro kur i shtohet edhe tarifa për investime.