‘Sa me fat jemi që të kemi e mjerë ne që s’ta dimë vlerën dhe që s’dimë të të shfrytëzojmë’
Ish-presidenti i FC Prishtinës dhe njëri prej njerëzve që kontribuuan më së shumti në futbollin kosovar, Remzi Ejupi, e ka lartësuar përmes një postimi në rrjetet sociale legjendën e futbollit shqiptar, Besnik Hasi.
Ejupi insiston se Hasi e meriton më shumë se çdokush tjetër që t’i besohet detyra e selektorit të Kosovës për shkak të përvojës, karrierës dhe ndjeshmërisë që e ka për vendin e tij, për dallim nga trajnerët tjerë të Kosovës që erdhën pas Albert Bunjakit.
Ai ndërkohë i ka kritikuar edhe prijësit e Federatës së Futbollit të Kosovës, respektivisht kreun e saj, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe për çuarjen në humnerë të futbollit kosovar.
Postimi i plotë i Ejupit (pa ndërhyrje):
Sa me fat jemi që të kemi e mjerë ne që s’ta dimë vlerën dhe që s’dimë të të shfrytëzojmë!
Zgjedhja e trajnerit vazhdon të jetë njëri nga minuset më të mëdhenj dhe problemet kryesore të Kombëtares së Kosovës.
Gabimi besoj se ka filluar qysh në ditën kur u largua ai që e krijoi këtë skuadër, arkitekti i saj, Albert Bunjaki, pa ju dhënë mundësia që ta tregojë veten.
Të gjithë ata që erdhën pas tij ishin trajnerë pa asnjë histori suksesi dhe gati gati anonimë për futbollin tonë.
Se si zbarkuan ata në vendin tonë, duhet kërkuar përgjigje nga përgjegjësit.
Ata duhet të tregojnë edhe se kush ishte “mësit” për ardhjen e tyre!
E tash, kur kemi mbetur pa trajner dhe kur përmenden emra të ndryshëm “për hava”, shtrohet pyetja: përse nuk zgjidhet një emër i madh e me sukses e me bagazh të pasur si Besnik Hasi në krye të reprezentacionit tonë???
Motivi kryesor është ndjenja e inferioritetit karshi kujtdo që ka arritur sukses në jetë nga të pasuksesshmit drejtues të futbollit kosovar.
Presidentit tonë i vlen më shumë dhe i shkon për shtati një trajner anonim që të dominohet dhe të kontrollohet prej tij në çdo gjë, në çdo aspekt, madje edhe në zgjedhjen e futbollistëve, pa e marrë parasysh dëmin e madh që ia ka bërë futbollit tonë me injorancën dhe keqdashjen e tij.
I duhet dikush që nuk e ka besimin e tifozëve, që nuk ka emër të madh në këtë vend, që nuk ka dashuri për këtë vend, që e sheh Kosovën si një “trampolinë”, që nuk i dhemb kur një futbollist nuk vjen të luajë dhe madje edhe kur i vjen keq kur e mposht një kundërshtar!
Klima në Kombëtaren e Kosovës është negative, kemi rënë në humnerë.
E lëshuam rastin jetik kundër Maqedonisë së Veriut për të shkuar në Euro 2020, ndërsa tash na erdhi një tjetër mundësi e artë, të cilën nuk ditëm ta shfrytëzonim në një grup modest, duke mbetur edhe jashtë Euro 2024, madje në vendin e parafundit.
Është e dhimbshme kjo pasi nuk e dimë nëse do të na vijnë raste të tjera si këto pasi kjo gjeneratë po shkon dhe lojtarët e rinj po hezitojnë të vijnë për të luajtur për Kosovën shkaku i keqmenaxhimit, i mjerimit që e ka kapluar futbollin e këtushëm.
Deri kur do të tolerojmë që tifozët e paguar të përzihen tek Kombëtarja dhe të tentojnë t’i sulmojnë futbollistët në aeroplanin e ekipit!?
Deri kur do të durojmë që të shohim skena të tilla dhe raste të tillë si ai i Edon Zhegrovës, një pasuri për Kombëtaren e Kosovës, i cili po trajtohet në mënyrën më të ulët të mundshme!?
Asnjërën nga këto nuk do t’i pranonte KURRË legjenda Besnik Hasi.
Ne e kemi fatin që kemi njerëz si ai, që e dashurojnë pastër dhe pa hile këtë popull dhe këtë vend, të cilin e nderoi me sukseset e tij ndër vite.
E arritjet e tij, djersa, ndershmëria dhe sakrifica i pengon një njeriu që është në krye të Federatës, e që ndihet inferior, pasi do ta rrezikonte atë duke ia nxjerrë në shesh pandershmërinë, të palarat, hilet dhe tentimin për të vjedhur.
Në fund, për fatin e keq miq, i kemi në krye këta njerëz të lindur dhe të rritur inferiorë dhe të padijshëm, që për ta mbajtur këtë pushtet të vjedhur e të pamerituar, do të vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë futbollin tonë.
Sa me fat jemi që e kemi e mjerë ne që s’ia dimë vlerën dhe që s’dimë ta shfrytëzojmë një diamant si Besnik Hasi!