Sa më shumë koordinim me aleatët tanë, aq më shumë sovraniteti në veri do të jetë i qëndrueshëm
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i konsideroi tërësisht të ligjshme veprimet e qeverisë së Kosovës për shtrirje të sovranitetit në veri, por shtoi se bashkëpunimi me aleatët do t’i bënte këto përpjekje të qëndrueshme.
Sipas Osmanit, sa më shumë që të ketë koordinim, aq më shumë ky sovranitet do të jetë i qëndrueshëm, afatgjatë dhe rrjedhimisht edhe më i suksesshëm për shtetin dhe do të hap më shumë rrugë pastaj për Kosovën.
“Veprimet jo vetëm që janë të ligjshme, por edhe legjitime. Kanë legjitimitet të plotë sepse Kosova si shtet i pavarur dhe sovran duhet ta shtrijë sovranitetin e saj të plotë në çdo cep të territorit. Mirëpo, siç e thatë edhe ju, dhe e kam përsëritur në çdo deklarim publik dhe në takimet me institucionet tona në çdo rast përgjatë kësaj historie 25 vjeçare, por në veçanti në 16 vitet tona si shtet i pavarur, në çdo rast kur kemi punuar afër me shtetet perëndimore e në veçanti me aleatët tanë në SHBA dhe shtete të caktuara të BE-së dhe kemi koordinuar hapat, në ato raste këto hapa kanë qenë shumë më të qëndrueshme, sukseset kanë qenë më afatgjata dhe vet akti i shpalljes së pavarësisë ka qenë i tillë.
Nuk është që populli i Kosovës nuk ka pasur vullnet ta shpallë pavarësinë edhe më herët mirëpo, sikur ta bënim në mënyrë më të pakoordinuar atëherë Kosova as nuk do të njihej. Fakti që e kemi bërë në koordinim të plotë me shtetet tona aleate na ka sjellë më shumë njohje, na ka sjellë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, mbështetje ekonomike, prosperitet për qytetarët tanë dhe hapa tutje drejt integrimit euro-atlantik.
Edhe tani natyrisht që sovraniteti duhet të shtrihet në çdo cep të Kosovës dhe institucionet tona të sigurisë janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë drejtim, por sa më shumë që të koordinohemi dhe të bashkëpunojmë me aleatët tonë aq më shumë ky sovranitet do të jetë i qëndrueshëm, afatgjatë dhe rrjedhimisht edhe më i suksesshëm për shtetin tonë dhe do të hap më shumë rrugë pastaj për Kosovën që ky sovranitet të mos jetë vetëm i brendshëm, por të reflektohet edhe në politikën tonë të jashtme, pra nëpërmjet anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë ku vendi ynë e ka vendin dhe e meriton të jetë.” – tha Osmani për VOA.