(S)a po lexojmë?
Leximi gjithnjë ka qenë veprim fisnik i njeriut dhe është vlerësuar kudo. Është vlerësuar në librat hyjnor, është vlerësuar nga filozofët, nga shkencëtarët, artistët e kushdo tjetër. Ndoshta, si rrallëherë, të gjithë njerëzit elitarë të të gjitha fushave kanë rënë në konsensus se: leximi është një proces i dobishëm.
Por ne, si i kemi punët me leximin? A po lexojmë? Nëse po, sa po lexojmë? E mbi të gjitha çka lexojmë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, për Fol Drejt i kanë dhënë disa personalitete, veprimtaria e të cilëve ndërlidhet me librin. Bëhet fjalë për një shkrimtar, një botues, një librashitës e një lexues. Pra, njerëzit që në baza ditore bashkëjetojnë me leximin.
Shkrimtari i njohur shqiptar Bashkim Shehu, i cili prej kohësh jeton në Barcelonë të Spanjës, ka folur rreth kulturës së leximit tek ne, duke e krahasuar me kulturën e leximit atje ku jeton dhe vepron:
“Kam përshtypjen se janë të ngjashme. Dhe, po të nisemi nga shifrat, nëse këtu shitja e një libri arrin në 3000 ekzemplarë, libri konsiderohet i përligjur nga pikëpamja e tregtimit. Përpjesëtimisht me popullsinë, i bie që kuota në Shqipëri të jetë rreth 200 ekzemplarë dhe në Kosovë 150. Kjo tregon se kemi një bërthamë solide lexuesish. E kam fjalën për letërsinë serioze. Ndërsa për ata libra synimi i të cilëve nuk është cilësia letrare, por shitja, nuk e kam të qartë.”
Berat Dakaj, drejtor i Shtëpisë Botuese “Armagedoni”, i pyetur se cilët lloje librash po kërkohen më shumë nga lexuesit, ai ka thënë se mungojnë matjet e sakta në këtë drejtim:
“Më duhet t’ju them se anketë lidhur me këtë temë nuk ka bërë asnjë agjenci statistike, asnjë bibliotekë, asnjë botues, asnjë OJQ. Nuk ka një raport se çfarë kërkojnë lexuesit më shumë. Megjithatë, interesimin e lexuesve e shohim në panaire të librave, e shohim në libraritë të cilat i furnizojmë me libra. Vazhdimisht i përcjell njoftimet e librarive të Kosovës dhe të Shqipërisë për librat më të shitur të javës. Nuk ka, as në Kosovë e as në Shqipëri, autore më të kërkuar se Antigona Behrami, se librat e saj. Çfarë janë ato libra të saj? S’janë as letërsi, as histori, as shkencë. Janë libra motivues. Janë libra me përmbajtje psikologjike dhe me mësime didaktike për jetën e sotme dhe të ardhshme. Pra, librat si të autores Behrami sot janë më të kërkuarat dhe më të shiturat. Mbase edhe më të çmuarat! Letërsisë nuk i kanë mbetur shumë lexues. I janë shtuar psikologjisë. Njerëzit po vrapojnë pas librave që i motivojnë njerëzit për famë dhe sukses. Kënaqësinë nuk po e kërkojnë më në libra letrarë, por në rrjete sociale.”
Dakaj, ka folur edhe për digjitalizimin e librit dhe mundësisë që ai të kalojë nga libër fizik në libër online.
“Në Kosovë kjo punë as që ka nisur të bëhet. As në Shqipëri jo. As në Maqedoni jo. As në Mal të Zi jo. Në pak vende të Ballkanit ka pak lëvizje për shitjen e librit online. Cilin libër online mund ta blini sot në Kosovë apo në Shqipëri? Te cila librari? Mund t’i përmendni tre tituj? Para se t’ju flas për përparësitë dhe mangësitë e librit online, duhet ta bëjmë dallimin e digjitalizimit të librit dhe të librit online. Digjitalizimi i librit bëhet nga kopja fizike, kurse libri online është i gatshëm, është në formatin pdf dhe lehtë mund të publikohet në rrjetin e shitjes së librave me pagesë”, ka thënë Dakaj, duke shtuar se kjo kërkon kosto edhe financiare:
“Digjitalizimi është i kushtueshëm. S’po mund ta bëjë Biblioteka Kombëtare e Kosovës që ka fond të veçantë nga Ministria e Kulturës e Kosovës. S’po mund ta bëjë as Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë e cila ka fond të veçantë nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. S’po mund ta bëjnë as bibliotekat kombëtare të vendeve fqinje. Për të mos thënë asgjë, kanë bërë diçka, kanë digjitalizuar disa fonde të vjetra dhe të rralla, autorët e të cilave kanë vdekur para shtatëdhjetë vjetësh. Digjitalizimi, përpos që është i kushtueshëm, ka edhe disa parakushte. Jo gjithçka mund të digjitalizohet e të shitet online. Nuk mund të digjitalizosh fonde të librave, të revistave, të dokumenteve e ku di tjetër e t’i publikosh në rrjete të shitjes pa pëlqimin e autorëve, pa nënshkrimin e një kontrate me ta ose familjarët e tyre. As librat që botuesit i kanë në formatin pdf nuk mund t’i publikojnë në rrjete të shitjes pa pëlqimin e autorëve dhe pa nënshkruar kontratë me ta. Këto punë, këto lloj marrëveshjesh mes botuesve dhe autorëve, nuk po bëhen në Kosovë. Prandaj libri online, as digjitalizimi i tij, nuk do të mund ta zëvendësojë librin fizik edhe disa dekada.”
Botuesi Dakaj ka folur edhe për kulturën e leximit në shoqërinë tonë, duke konstatuar se dikur kishte libra, popullsi e arsimim më pak, por librat lexoheshin më shumë.
Sipas tij, dikur “kur kishte libra më pak, kur nuk kishte internet, kur kishte popullsi më pak dhe ishte shumë më pak e arsimuar sesa sot, librat lexoheshin më shumë sesa sot, sidomos librat letrarë. Sot librat shiten më shumë, por kam përshtypjen se ata që i blejnë nuk i lexojnë. Më ka rastisur të shoh, në librarinë e një individi, tre tituj të njëjtë të një libri. Kur e kam pyetur pse i ke tre të ngjashëm, më ka thënë se i ka blerë në panaire, se ka dëgjuar nga dikush për atë “libër të mirë”, se e ka blerë edhe dy herë të tjera pa e ditur se e ka pasur në bibliotekën e vet. D.m.th., aty e ka pasur, por nuk e ka lexuar.”
“Edhe diçka tjetër në këtë kontekst. Në panairet e librave që organizohen në Kosovë dhe Shqipëri vazhdimisht marr pjesë. Njerëzit dalin nga pallatet me plot libra në duar. Sa fjalë i thonë e i shkruajnë për ata libra që i blejnë? Shumë pak, sepse shumë rrallë sot shkruhen recensione për libra në medie elektronike dhe të shtypura. Kultura e leximit dikur, veçan në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, edhe deri para dhjetë vjetësh, shkonte paralelisht me kulturën e interpretimit të librit. Sot libri shitet, por pak përmendet për sukses ose dështim. Po ende kemi shpresë se një ditë prej ditësh, me themelimin e klubeve letrare në qytete të Kosovës e të Shqipërisë, me stimulimin e pagesës së vështrimeve kritike si njëherë e një kohë nga mediet, do të ringjallet kultura e leximit dhe e interpretimit të librave”, ka përfunduar Dakaj.
Librashitësi Florim Beqiri, i cili njëkohësisht është edhe lexues pasionant e shkrimtar, i pyetur për kulturën e leximit tek ne, është përgjigjur se nuk ka një kulturë të përgjithshme leximi në shoqërinë shqiptare të Kosovës.
“Nga përvoja ime si librar që nga viti 1999 e deri tani në vitin 2022, nuk mund të flitet për një kulturë leximi të përgjithshme tek shoqëria shqiptare e Kosovës. Ekziston një raport në mes librit dhe shkollimit, ku libri është mjet detyrues, këtu fillon e përfundon kultura e leximit”, ka thënë Beqiri.
Veç tjerash, ai ka folur edhe për librat më të kërkuar e që janë librat e letërsisë, psikologjisë alternative e historisë nacionale. Ndërsa, kategoria që më së shumti e frekuenton vendshitjen e librave të tij janë studentët, të cilët nëse jo pasion, leximin në të shumtën e rasteve e kanë edhe detyrim nga fakulteti.
Beqirin, ndër të tjera, e kemi pyetur edhe për numrin e lexuesve nëse janë shtuar ose janë pakësuar, nëse e vëmë në krahasim më kohërat e mëhershme të një ose dy dekadave më parë.
“Faktet flasin se janë pakësuar lexuesit. Kjo vërtetohet në numrin e botimeve, tirazhit, numrin e librarive, numrin e lexuesve në biblioteka. Nga gjithë kjo që e argumentova më lart vijmë në përfundim se numri i lexuesve është duke rënë në vazhdimësi. Nuk mund t’i largohemi faktit se disa botime të mëparshme teknologjia i ka larguar si të tejkaluara pasi që zhvillimi i gjithëmbarshëm ofron një qasje më të mirë deri te marrja e edukimit”, është përgjigjur ai.
Beqiri thekson edhe mundësinë e zëvendësimit të librit fizik e këtu janë disa faktorë që luajnë rol e që sipas tij janë transporti i lirë, qasja në biblioteka digjitale ndërkombëtare, mjetet teknologjike vizuele, zëvendësimi i edukimit ku nga një edukim klasik tash po bëhet përmes kurseve e trajnimeve.
Ndërsa, Flamur Foniqi, i cili kohë më parë është shpallur Lexuesi i Vitit nga Biblioteka e Qytetit të Prishtinës “Hivzi Sylejmani”, njëkohësisht edhe studiues i letërsisë, i pyetur se a rrezikohet libri në këtë kohë kur secili shpenzon orë të tëra brenda ditës në rrjete sociale, është shprehur se qasja në rrjetet sociale është akt i dëmshëm për leximin.
“Funksioni i leximit si akt i mirë mbi kohën, është zbehur dukshëm nën ndikimin e rrjeteve të ndryshme sociale. Shfaqja e tyre mund të ketë rrjedhur mbi bazën e nevojave që koha ka shfaqur, mirëpo jo gjithmonë funksioni i tyre mund të shihet me opt të mirë. Në një mes gjykues, mbi të mirat dhe të këqijat që lindin nga përdorimi i rrjeteve sociale, padyshim që ekzistojnë dhe thuhen mendime nga më të ndryshmet. Nisur gjithmonë nga ajo që shohim, them se qasja në rrjetet sociale tashmë është akt i dëmshëm për leximin dhe kohën.
Përgjithësimi që në rrjetet sociale nuk ka diçka të mirë përmbajtësisht, mund të jetë mendim i gabuar. Këtë më së miri mund ta kuptojmë përmes një studimi, mostrën e të cilit do ta shënonin gjetjet mes orientimit të mirëfilltë/dobishëm dhe devijimeve që ndodhin”, ka thënë Foniqi.
Ndërsa në pyetjen se çfarë lexon me kënaqësi në kohën e lirë, Foniqi ka thënë se libri dokumentues e historik e përbëjnë zgjedhjen e tij.
“Prej kohësh, leximi është një copëz me vlerë që ia kam mveshur orëve të mia. Leximi si dukuri është bërë edhe më i shpeshtë duke pasur parasysh zgjedhjen për të qenë student në Degën e Letërsisë Shqipe. Duke qenë i rrethuar nga një literaturë universitare (me guximin për të thenë e imponuar dhe e patjetërsueshme) është dashur t’ia themi shumë leximit. Mirëpo kjo nuk ka qenë cytje e motivim, duke e ditur që leximi në shkollimin parauniversitar, ka bërë që unë të rreshtohem në një fushë ku leximi përbën mjetin kryesor të punës. Nëse më duhet të jem i anshëm, me plot bindje them që libri dokumentues e historik e përbëjnë zgjedhjen time”, ka thënë ai.
“Kur nuk tregohemi imitues ndaj asaj që lexojnë të tjerët dhe ndaj asaj që synon monetizim, me lexim krijomë kohë e vlera. Le të prijë motivi për lexim, vlerat shpesh rrijnë të fshehura”, ka përfunduar Foniqi.
Nëse jo për kënaqësi estetike, leximi në bazë të shumë studimeve e hulumtimeve, ndalon alzheimerin, redukton stresin, pasuron fjalorin, përmirëson mënyrën e të shkruarit, përmirëson kujtesën e i zhvillon aftësitë analitike, si dhe nxitë kreativitetin. Ndërsa në Kosovë, akti i leximit, nuk përbënë ndonjë vlerë. Sipas një hulumtimi të kryer para do kohe nga organizata ETEA del se 56 % e nxënësve të shkollave të mesme të anketuar, nuk kanë qenë në gjendje t’i listojnë, madje, as tre tituj librash./FolDrejt/