Sa u dëmtua buxheti i Bibliotekës Kombëtare pas blerjes së skanerëve?
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është pajisur me pesë skanerë për digjitalizim të fondeve të veta. Një skaner i është blerë dhe dhuruar në vitin 2016 nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kurse katër të tjerë i ka blerë në fund të vitit 2023 me afate emergjente. Gazeta “Epoka e re” për blerjen e këtyre skanerëve ka raportuar në fund të muajit dhjetor dhe në fillim të muajit janar dhe do të raportojë edhe më tutje.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në muajin nëntor të vitit 2023 ka blerë një skaner për digjitalizimin e librave. Sipas specifikave të kontratës të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRrPP), përshkrimet e çmimeve në këtë kontratë janë kështu: 1. Furnizim me skaner profesional për digjitalizimin e librave, 1 copë, vlera 78 000.00 euro; 2. Instalimi dhe konfigurimi i skanerit profesional për digjitalizimin e librave për përdorim sipas standardeve bibliotekare, 1 copë, vlera 21 000.00; 3. Trajnimi i stafit për përdorimin e skanerit profesional për digjitalizimin e librave sipas standardeve bibliotekare, një copë, vlera 5 000.00 euro; konfigurim i pajisjes/softuerit për ruajtje me serverin/databazën e BKK-së, 1 copë, vlera 15 500.00 euro. Të katër këto përshkrime i kanë kushtuar Bibliotekës Kombëtare 119 500.00 euro. Me këtë kontratë Biblioteka Kombëtare e ka shpërblyer operatorin ekonomik “Tech Vision Sh. P. K” me zyrë në Prishtinë, të cilit pagesa i është bërë me datë 23.11.2023. Një muaj më pas e njëjta kompani nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës është shpërblyer me tenderë 298 000.00 euro për pajisje me tre skanerë për digjitalizim të librave. Ndër të tjera, Biblioteka Kombëtare në kontratën e dytë ka blerë një skaner sikurse e kishte blerë një muaj më parë, me të gjitha karakteristikat e njëjta. Por, çfarë ndodh në kontratën e dytë? Skaneri i dytë, i njëjtë me të parin, i blerë po nga e njëjta kompani, nuk kushton më 78 000.00 euro, por 121 000.00 euro. Skandali nuk është vetëm te çmimi më i shtrenjtë i pajisjes për 43 000.00 euro. Është te përshkrimi. Për skanerin e parë të blerë më 23.11.2023 Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pranuar faturën nga operatori ekonomik “Tech Vision Sh. P. K”, siç përmendëm më sipër, me këto përshkrime: 1. Furnizim me skaner profesional për digjitalizimin e librave, 1 copë, vlera 78 000.00 euro; 2. Instalimi dhe konfigurimi i skanerit profesional për digjitalizimin e librave për përdorim sipas standardeve bibliotekare, 1 copë, vlera 21 000.00; 3. Trajnimi i stafit për përdorimin e skanerit profesional për digjitalizimin e librave sipas standardeve bibliotekare, një copë, vlera 5 000.00 euro; konfigurim i pajisjes/softuerit për ruajtje me serverin/databazën e BKK-së, 1 copë, vlera 15 500.00 euro. Do të thotë, për skanerin e parë Biblioteka Kombëtare ka bërë pagesë 41 000.00 vetëm për instalim, konfigurim, trajnim. Për skanerin e dytë, për të njëjtin lloj, të blerë një muaj më pas, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka bërë pagesë 6 000.00 euro, duke përfshirë në këtë çmim edhe mirëmbajtjen njëvjeçare që nuk ishte përfshirë në skanerin e parë, kurse e ka paguar skanerin jo 78 000.00 euro, por 121 000.00 euro. Të gjitha procedurat e pranimit të tre skanerëve, testimit të tyre dhe trajnimit të stafit, edhe pagesa për operatorin ekonomik, janë bërë brenda një dite, më 26.12.2023. Sipas disa informacioneve dhe fotografive që ka siguruar gazeta “Epoka e re”, këto pajisje në Bibliotekën Kombëtare kanë ardhur të martën e datës 26 dhjetor pas orës 14.00 me një kamion me targa të Çaçakut, kurse kamioni është larguar nga oborri i Bibliotekës Kombëtare dhe ka vazhduar rrugën për Serbi në orën 15.10. Për rreth dy orë anëtarët e komisionit të pranimit teknik të kontratës nr. 90900-23-10385-1-2-1/C107, kanë “arritur” të bëjnë pranimin e mallit, testimin e pajisjeve dhe të trajnohen për këto pajisje. Kështu shkruan në një raport të këtij komisioni që ka siguruar gazeta “Epoka e re”. E vërteta, sipas burimeve të gazetës, është ndryshe. “Pajisjet, për shkak të transparencës së publikut dhe të gazetës, janë ende të paketuara. Me këtë rast po ju dërgojmë edhe disa fotografi të pajisjeve të mbështjella me qese najloni”, kanë njoftuar burimet e gazetës “Epoka e re”.
Në tri fotografitë që ka siguruar gazeta vërehet se pajisjet që ka blerë Biblioteka Kombëtare për digjitalizim ende janë të mbështjella me qese. Atëherë si u bë testimi i tyre dhe trajnimi i stafit kur ato nuk janë hequr nga qeset? Tre anëtarët e komisionit në raportin e pranimit të pajisjeve shkruajnë: “Komisioni konstaton se pajisjet janë funksionale dhe të gatshme për të filluar punën me digjitalizimin e librave, gazetave dhe hartave”. Pra, shkruajnë se janë të gatshme të fillojnë punën, por nuk ofrojnë dëshmi të testimit të pajisjeve dhe të trajnimit të stafit. Asnjë fotografi nuk kanë bashkëngjitur në raport nga testimi dhe trajnimi. E kompania e shpërblyer me tender, “Tech Vision Sh. P. K”, përpos instalimit, konfigurimit, ka pasur për obligim edhe ta trajnojë stafin e Bibliotekës Digjitale të Bibliotekës Kombëtare para se t’i bëhet pagesa. Gazeta merr vesh se këto pajisje kanë ardhur në bibliotekë me datë 26.12.2023 pasdite, dy orë para se të përfundojë orari i punës. Po në këtë ditë Biblioteka Kombëtare për punonjësit e vet ka shtruar edhe një darkë në restorantin “Molla e egër” në vlerë 1 750.00 euro.
Edhe tenderi për skanerin që ka kushtuar 119 500.00 euro, edhe tenderi për tre skanerët që kanë kushtuar 298 000.00 euro, nga zyrtari i prokurimit i MKRS-së janë shpallur me afate të shkurtuara (emergjente). Por si duket nga dokumentet që ka siguruar gazeta, asgjë emergjente nuk ka pasur për shpalljen e këtyre tenderëve. Sipas njohësve të prokurimit, të cilët gazeta i ka kontaktuar për të marrë një mendim prej tyre për afatet emergjente rreth këtyre dy dosjeve të tenderëve për blerje të skanerëve, asnjëra prej këtyre dy shpalljeve në KRrPP nuk do të duhej të publikohej me afate emergjente, pasi që emergjente janë rastet që ndodhin nga fatkeqësitë natyrore si, ta zëmë, vërshimet, zjarrvëniet, shembjet, moti i lig etj.
Gazeta “Epoka e re” edhe në vitin 2023, edhe në vitin 2024, ka kontaktuar me disa kompani të cilat merren me shitblerjen e pajisjeve të teknologjisë së informacionit, kryesisht të skanerëve, të cilat i ka pyetur nëse janë reale çmimet dhe përshkrimet për këta skanerë që ka blerë Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Zyrtarët e shitjes së këtyre llojeve të pajisjeve në katër kompani na kanë bërë me dije se për instalimin, konfigurimin dhe trajnimin e stafit për këta skanerë do të kërkonin 200.00 euro në ditë, asnjë centë më shumë, e në rast se me këto pajisje do t’i furnizonin ato, për instalim, konfigurim dhe trajnim s’do të kërkonin asnjë cent. E për këto tri punë Biblioteka Kombëtare e ka paguar kompaninë “Tech Vision Sh. P. K.” 41 000.00 vetëm për skanerin e parë.
Burimet e gazetës “Epoka e re” njoftojnë se auditori i MKRS-së, pas raportimit në gazetë për këta dy tenderë, ka nisur të bëjë auditim për këto dy raste të tenderëve, kurse ende nuk ka dhënë një raport për të.
“Epoka e re” gjatë kësaj jave ka bërë një hulumtim në treg se sa kushtojnë skanerët që ka blerë Biblioteka Kombëtare. Gjithashtu, i ka shkruar edhe kompanisë austriake që i prodhon këta skanerë.
Skanerin që e ka paguar Biblioteka Kombëtare 121 000.00 euro, çmimi i tij për Evropë sillet 60 000.-65 000.00. Skanerin që e ka paguar 97 000.00 euro, çmimi i tij për Evropë sillet rreth 40 000.00 euro.
Ndërkaq skanerin që e ka paguar 45 000.00 euro, çmimi i tij për Evropë sillet rreth 5 500.00 euro.
Gazeta “Epoka e re” ka bërë një hulumtim edhe në uebfaqet e bibliotekave kombëtare dhe të bibliotekave digjitale të shteteve evropiane, për të parë se sa skanerë kanë, çfarë lloji dhe sa fonde kanë digjitalizuar. Për shembull, Biblioteka Digjitale e Bibliotekës Kombëtare të Sllovenisë ka tre skanerë për digjitalizim të librave. Për shkak të transparencës me publikun, në uebfaqen e saj ka njoftuar se që të tre skanerët i kanë kushtuar rreth 64 000.00 euro. Me këta skanerë ajo ka digjitalizuar qindra mijëra fonde të bibliotekës, të cilat i ka publikuar në uebfaqen e vet për përdorim të lexuesve dhe hulumtuesve. Shih më hollësisht fondet e saj të digjitalizuara në këtë vjegëz: dLib – statistike. Për të bërë një krahasim mes punës së Bibliotekës Kombëtare të Sllovenisë me punën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Epoka e re” ka vizituar edhe uebfaqen e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe ka nxjerrë këto rezultate: asnjë material i digjitalizuar nuk gjendet në uebfaqen e saj. Paradoksi kulturor haset në krye të faqes së saj. Shkrimi i fundit i publikuar në të ka datën 25 nëntor 2020.
Një përgjigje për blerjen e këtyre skanerëve nga Biblioteka Kombëtare ka dhënë shefi i IT-së në këtë bibliotekë, Ramush Zeka. Ai ka thënë se vazhdimisht i përcjellë shpalljet e tenderëve nga Biblioteka Kombëtare në KRrPP dhe se në asnjërin tender nuk ka qenë as menaxher i kontratës, as nuk i ka bërë specifikat e tenderit, as nuk ka qenë anëtar i komisionit për vlerësim të kontratave. “Unë jam shef i IT-së në bibliotekë. Për mendimin tim, këta skanerë që ka blerë biblioteka janë paguar tepër shtrenjtë, sepse kam bërë hulumtim dhe kam pyetur në disa kompani vendore dhe të huaja sa kushtojnë në treg. Dy anëtarë të komisionit për vlerësimin e këtyre skanerëve nuk janë të fushës së teknologjisë së informacionit. Nuk e dinë as sa kushtojnë, as për çfarë shërbejnë. Mua nuk më ka ftuar për vlerësim të ofertës, as të pranimit të mallit, drejtori i Bibliotekës Kombëtare siç bënin pararendësit e tij, sepse ata e dinin se kjo ishte detyrë e imja. Atij ia ka marrë mendja se këto punë dinë t’i vlerësojnë më mirë sesa unë punonjësit që nuk kanë të kryer as kurs për informatikë. Përgjegjësia totalisht është e Fazli Gajrakut”, ka thënë Zeka, i cili ka njoftuar se është ftuar për intervistë nga auditori i MKRS-së për këto dy lëndë të tenderëve dhe, gjithashtu, ka bërë me dije se, në rast se auditori i MKRS-së nuk do të bëjë auditim të duhur, do t’u drejtohet Zyrës së Auditimit të Kosovës dhe Njësisë së Krimeve Ekonomike pasi që, sipas tij, në këto dy dosje të tenderëve ka keqpërdorime të mëdha.