Sa veteranë të UÇK-së ishin sipas Xhavit Halitit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka bërë me dije se çështjen e numrit të veteranëve të UÇK-së nuk mund ta zgjidhin organet e drejtësisë.
Ai ka thënë se për zgjidhjen e këtij problemi duhet të shikohet që të gjendet një rrugë jashtë organeve të drejtësisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haliti, i cili është një ndër themeluesit e UÇK-së, ka treguar se komandantët e zonave dhe ata të brigadave kanë të dhëna për numrin e luftëtarëve të lirisë.
“Nuk kam pasur asnjëherë evidencë të numrit të luftëtarëve, sepse unë nuk e kam pasur këtë detyrë. Prandaj nuk mund të them nëse kanë qenë 60 mijë veteranë, 10 mijë, 12 mijë apo 20 mijë siç po flitet. Shifrat janë të ndryshme, por mendoj se askush nuk po ia qëllon. Ajo që është shqetësuese, dhe që këtë shqetësim e kanë ngritur edhe mekanizmat ndërkombëtarë si FMN-ja dhe Ministria e Financave, është se ky trend i politikës në Kosovë, që të gjithë të bëhen veteranë të arsimit, veteranë të luftës, veteranë të kësaj apo të saj çështje, dhe që të gjithë të paguhen, do ta falimentojë shtetin. Kosova nuk e ka buxhetin e ShBA- së apo të Gjermanisë. Ky është një problem me të cilin Kosova do të ballafaqohet dhe buxheti i shtetit do të tkurret dhe do të ketë problem të funksionimit të shtetit”, ka thënë Haliti.