Sa vizitorë amerikanë kanë qenë në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit?
Rreth 51 mijë vizitorë amerikanë kanë qenë në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit, të cilët gjithsej kanë qëndruar rreth 90 mijë netë në Kosovë përgjatë kësaj periudhe kohore. Kjo bëhet e ditur në statistikat e hotelerisë dhe turizmit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovë (ASK).
Sipas statistikave të ASK-së, gjatë vitit 2023 janë regjistruar 15780 vizitorë amerikanë me 27607 netë qëndrimi në Kosovë. Numër më të vogël të vizitorëve amerikanë kishte në vitin 2022, përkatësisht 13180 me 24311 netë qëndrimi në Kosovë.
Në vitin 2021 ishin 8433 vizitorë amerikan me 13500 netë qëndrimi të regjistruara. Më së paku vizitorë amerikan kishte në vitin e 2020, vitin e pandemisë COVID-19, ku ishin regjistruar 2946 veta që kishin qëndruar gjithsej 5282 netë në Kosovë.
Në vitin 2019 ishin 10370 vizitorë amerikan, të cilët kishin qëndruar gjithsej 19295 netë në Kosovë.
Përndryshe, sipas ASK-së, Kosova i ka gjithsej 512 njësi të akomodimit me 9193 dhoma dhe 19285 shtretër, përderisa më së shumti vizitorë janë regjistruar në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.
Më së shumti vizitorë të huaj në Kosovë ka nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sogojeva: Me zhvillimin e turizmit zhvillohet edhe ekonomia
Hysen Sogojeva, përfaqësues i Shoqatës së Turizmit, ka deklaruar për Front Online se çdo rritje e numrit të turistëve ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në përgjithësi.
Ai shpjegoi se shumë amerikanë që kanë ardhur në Kosovë përmes misioneve të OSBE-së dhe KFOR-it janë të impresionuar nga mikpritja e ngrohtë dhe bukuritë natyrore të vendit.
Sogojeva e përmendi se rritja e numrit të turistëve është një tregues i promovimit të suksesshëm të turizmit në Kosovë, megjithatë, ai nënvizoi se Qeveria nuk ka një strategji të veçantë për turizmin dhe se avancimi në këtë sektor është kryesisht rezultat i investimeve dhe përpjekjeve të sektorit privat.
“Qysh pas luftës e deri më tani shumë kanë ardhur asociacione të ndryshme nëpërmjet OSBE-së ,nëpërmjet KFOR-it. Nëpërmjet organizatave ndërkombëtare kanë ardhur shumë amerikanë dhe pas kryerjes së misioneve të tyre ,atyre u ka pëlqyer Kosova , përveç atraksioneve edhe vendeve të bukura që munden të vizitojnë ne e kemi edhe mik pritjen, atyre u pëlqen shumë mik pritja e shqiptarëve. Qeveria nuk ka ndonjë strategji që e ka përhapur për të ndikuar tek turistet, krejt këto janë falë sektorit privat ,krejt çka është bërë sot sepse mund të themi se Kosova dita- ditës po e merr formën e një atraksioni për t’u vizituar jo vetëm nga amerikanët por edhe Evropa e nga mbarë bota”.
Kurtishaj: Kosova ka potencial, por institucionet nuk po e ndihmojnë sektorin e turizmit
Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportuesve Rrugor, thotë për Front Online se problemi kryesor sa i përket numrit jo shumë të madh të turistëve në Kosovë është infrastruktura rrugore, problemet politike, sidomos ato në veri, siç thotë ai, kanë pas një ndikim të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e kërkesës së turistëve.
“Problemet me energjinë elektrike që kanë qenë vitet e kaluara që në periudhën e verës nuk kemi pas energji të mjaftueshme në disa zona turistike si: Prevalla, Boga, Brodi. Kemi potenciale të mëdha natyrore, trashëgimin kulturore për të pasur turizëm më të lartë nga të huajt”, u shpreh Kurtishaj.
Sipas Kurtishajt, Qeverisë së Kosovës nuk po i intereson fare sa i përket turizmit dhe jo veç kësaj, por asnjë Qeveri deri tash nuk ka bërë asnjë hap konkret për ta ndihmuar turizmin.
“Turizmi është një sektor që punësohen shumë të rinj dhe është zinxhirë i ekonomisë. Qeveria duhet të merret seriozisht me këtë sektor, ta kthej vëmendjen tek zonat turistike. Hartat të rregullohen, rrugë shumë të dëmtuara, nuk kemi planifikim të një zone të caktuar për të ndërtuar Qendër Turistike Dimërore. Kur të ketë vëmendjen Qeveria për ta zhvilluar turizmin sektori privat është i gatshëm për të ecur përpara por duhet përkrahje”, potencon Kurtishaj.