Sabri Hamiti, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka zgjedhur akademik Sabri Hamitin anëtar të jashtëm të Akademisë.
Profili intelektual i anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Sabri Hamiti dhe anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë është paraqitur nga kryetari i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi.
“Studiues i mirënjohur i historisë së letërsisë shqipe prej fillimeve deri në kohën e sotme; me botime të thelluara posaçërisht për autorë dhe zhvillimeve të mënjanuara, të ndaluara apo të përjashtuara në historishkrimin e letërsisë në Shqipëri e në Kosovë; i vlerësuar për rolin orientues të studimeve të tij në pikëpamje të shkollave letrare, duke përfshirë atë të grupimit “vox clamantis in deserto”; të ndërveprimit midis jetës dhe veprës së shkrimtarit; të përveçimit të tyre përmes stilit; me veprimtari universitare në gjithë hapësirën historike shqiptare; autor i mbi 50 veprave monografike studimore dhe letrare; fitues i shumë çmimeve kombëtare e mbarëkombëtare për merita shkencore e krijuese, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka thënë akademik Gjinushi.