Sadat Pajaziti tregon pse u largua nga Vëllaznimi
Trajneri Sadat Pajaziti është larguar nga skuadra e Vëllaznimit të Gjakovë. Ai ka thënë se ka shpresuar që gjerat në klubin kuqzi do të ndryshojnë, por që ndodhi e kundërta.
“Kur pranova postin e trajnerit të ekipit të Vëllaznimit, ekip me shumë histori, erdha me shumë vullnet që të bëjmë klub stabil i cili do qëndrojë gjatë në Superligë dhe të jetë gjithmonë pretendent për titull ashtu sikur ka qenë në kohë të mira, por hasëm në shumë vështirësi. Sapo filluam kampionatin patëm bojkot 2 javë pastaj shumë lojtarë na ikën sapo filloj kampionati, unë qëndrova vetëm sepse hasa në shumë dashuri për klubin, kudo që shkoja në qytet, bisedoja me njerëz të cilët tregonin për klubin me shumë dashuri për ç’do ndeshje, me njerëz që edhe në stërvitje vinin edhe na ndjekin nga afër, kjo më bëri që mos ta lë klubin por të mundohemi dhe të nxjerrim maksimumin, gjë të cilën nuk e arritëm”, ka thënë Pajaziti.
“Dua t’i falënderoj bashkëpunëtoret e mi, gjithë lojtarët dhe ju uroj suksese edhe shpresoj që sa më shpejtë të ofrohen njerëz të cilët e ndihmojnë klubin të kthehet aty ku e ka vendin sepse e meritojnë qytetarët e Gjakovës, edhe Superliga pa Vëllaznimin është e mangët pa ata tifoz të cilët japin gjithçka për klubin e tyre”, ka deklaruar Pajaziti.
/Epoka e re/