Sadija ishte engjëlli mbrojtës i Dritëroit
Agim Vinca
Ditën që në gazetën “Dita” u botuan kujtimet e mia për Dritëroin, më 9 shkurt, qëllova në Tiranë. Erdhëm bashkë me time shoqe për ta vizituar vajzën, që jeton në Tiranë. U lidha me telefon me Sadijen dhe e ftova të pinim një kafe bashkë në ndonjë lokal. Më tha: “Ju pres në shtëpi!”. Dhe, natyrisht që shkuam. Na pritën me shumë dashuri si gjithmonë, Sadija dhe nusja e djalit, Majlinda. Për herë të parë shkoja në atë sallon pas ikjes së Dritëroit. U ulëm rreth tryezës, ku kam ndenjur shumë herë, por tani, në vend të Dritëroit, kisha përballë Sadijen, ulur në vendin e tij. Ndërsa sodisja në mur portretet e të dyve punuar nga piktorja Lumturi Blloshmi (Sadija e re, e bukur si flutur, kurse Dritëroi me portretin e tij karakteristik, me tipare të malësorit të jugut), m’u kujtuan vargjet e “Turkeshës” së famshme: “E ku ta lija një lanete,/ Një xhinde Shkodre, një kaproll, / Ajo më not do çante dete/ Dhe do më gjente në Anadoll”.
Nuk mungoi rakia as kësaj radhe. As biseda e përzemërt si gjithmonë. Më tha se i kishte lexuar kujtimet e mia për Dritëroin dhe se i kishin pëlqyer. Në to përmendet shpesh edhe emri i saj, sepse shumë herë kishin qenë bashkë në takime letrare. Më pyeti se si i kisha mbajtur mend gjithë ato detaje. “E kam një kompjuter të vogël këtu” – i thashë me shaka dhe preka tëmthin me gisht. Vuri buzën në gaz dhe më tha: “Je i ri”. “Po, po, i ri – ia ktheva. Kam lindur kur Dritëroi e botoi vjershën e parë në ’47-n!”.
Na dhuroi botimet më të reja të Dritëroit, bërë nën kujdesin e saj dhe të së bijës, Elonës. Me një përkushtim të gjatë e të përzemërt dhe me një shkrim shumë të ngjashëm me atë të Dritëroit. U habita. A ndodh që edhe shkrimi t’u ngjajë dy njerëzve që jetojnë gjatë bashkë? Si duket po.
Sadija ishte shumë e përkushtuar ndaj Dritëroit. Ishte shoqe jete dhe bashkëpunëtore e tij. “Me këta dy gishta ia kam shtypur librat”, tha.
Vjershat, poemat, romanet, sidomos “Arkën e djallit”, që është libri i tij më i vëllimshëm.
Thuhet se prapa një burri të suksesshëm qëndron një grua. Por Sadije Agolli ishte edhe vetë grua e suksesshme: nënë dhe bashkëshorte shembullore, por edhe intelektuale, gazetare e letrare. Sepse dikur ka botuar me sa di edhe tregime.
Kur nata e shkurtit po e kaplonte Tiranën, u përshëndetëm me Sadije Agollin. As ndër mend nuk më shkonte se ky do të ishte takimi ynë i fundit me të. Dukej shumë mirë dhe plotësisht e kthjellët. Nuk më pëlqeu që nuk dilte fare nga shtëpia dhe i thashë, si motrës, të mos mbyllej në burg shtëpiak. Të njëjtën gjë ia thashë edhe Elonës të nesërmen, në takimin që pata me të në zyrë, ku numri i librave që mora me vete u shtua shumë. Elona është edhe botuese, kurse botimet e saj shquhen për cilësi e përkujdesje edhe grafike.
Gruaja që jetoi pesë dekada me poetin bohem, kurse katër vitet e fundit të jetës i ndenji qiri në këmbë, duke u kujdesur për shëndetin e tij, sikur e humbi shijen e jetës pas ikjes së tij. Ngushëllim gjente te kujdesi për dorëshkrimet e tij dhe te kujtimet për të. Ajo, Sadije Dritëro Agolli, siç do të mund të thoshim siç e kishte zakon të thoshte posesivi Lasgush për të shoqen, Nafijen: “Nafije Lasgush Poradeci”.
Eh, ç’sakrifica që bëjnë gratë e poetëve!
I shkoi pas në krye të dy viteve. Nuk na besohet se iku kështu papritur. U prehtë në paqe!