Sadik Halitjaha fillon dëshminë në gjykimin ndaj liderëve të UÇK-së
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 35-të, ka filluar që të dëshmojë dëshmitari i 36-të, Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandant në Zonën Operative të Pashtrikut (me kodin W04765), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pyetjet për këtë dëshmitar ka filluar që t’i parashtrojë Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes prokurorit, James Pace.
ZPS-ja ka paraparë 2 orë që ta marrë në pyetje këtë dëshmitarë, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë paraparë rreth 14 orë e gjysmë.
Para fillimit të dëshmisë së dëshmitarit të 36-të, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka urdhëruar që disa dokumente të riklasifikohen si konfidenciale.
Po ashtu, edhe disa dokumente janë pranuar si prova materiale.
Para se të fillojë dëshminë e tij në Speciale, Halitjaha ka dhënë betimin e tij për deklarata të vërteta.
Interesante ishte forma se si ai iu drejtua krerëve të UÇK-së që po akuzohen në Hagë. “Përshëndetje çlirimtarë!”, ka thënë Halitjaha.