Sadiku eliminohet nga turneu i boksit në Bullgari
Donjeta Sadiku është eliminuar shumë herët nga turneu i boksit “Strangja 2023”, i cili po mbahet në Bullgari. Boksieria më e mirë kosovare u mund nga holandezja, Heijen Chelsey, 2:3 në kategorinë deri në 60 kilogramë në garën e Sofjes.
Gjyqtaret nga Spanja, Algjeria dhe Bjellorusia në fund vendosën që fitoren t’ia jepnin boksieres holandeze. Kjo ishte një eksperiencë përgatitëse për boksieren nga Gollaku, e cila synon të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që do të mbahet në Indi, edhe pse ajo s’e ka të sigurt pjesëmarrjen atje pasi prapë, si në të kaluarën, po i shfaqen pengesa për shkak të problemeve politike.
Nëse i mundësohet pjesëmarrja në Botëror, pjesëmarrësja në Olimpiadën e Tokios dhe fituesja e medaljes së bronztë evropiane dhe botërore, do të kërkojë medalje edhe në Botërorin e Indisë.