Sadiku: Nuk ka raste të koronavirusit në Kosovë
Infektologu Izet Sadiku, në rubrikën Sytë 7 në emisionin e mëngjesit në Klan Kosova ka folur lidhur me gjendjen e gripit sezonal në Kosovë, dhe masat që po ndërmerren nga institucionet shëndetësore për parandalimin e tij.
Sadiku tha se kjo gjendje është normale pasi që gjendemi në stinën e dimrit.
“Kemi filluar si zakonisht, jemi në një sezonë kur kemi raste më të shpeshta të rasteve të gripit. Sipas një hulumtimi muaj shkurt është muaj kur kemi raste më shumë me grip të influencës A të gripit. Gjatë kësaj kohe të dimrit rastet janë më të shpeshta. Numri i të shtrirëve në Klinikën Infektive nuk është aq i madh, pra është një situatë normale”, tha Sadiku.
Ai theksoi se komplikimet e gripit sezonal mund të jenë edhe vdekjeprurëse.
“Temperaturat e larta, rrjedhja e hundës, kokëdhimbje. Tek fëmijët shtrëngim i muskujve, barkqitje, shtangim i muskujve etj, janë disa nga simptomat me rastin e paraqitjes së këtij gripi. Komplikimet e gripit sezonal mund të jenë edhe vdekjeprurëse. Ata që janë më të rrezikuar janë moshat mbi 65 vjeç, ata me diabet, me probleme të zemrës, por edhe fëmijët nën moshën 1 vjeçare. Ky grip mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes tek njerëzit”, ka pohuar Sadiku.
Tutje ai përmendi edhe masat e parandalimit që duhet të ndërmerren për tu mbrojtur nga ky grip.
“Trajtim simptomatik, pushim më shumë, në disa raste përdorimi i tamiflus, ka dilema sa ka efekt, por metoda më e mirë është përdorimi i vaksinave. Në Kosovë ka vaksina që trajtojnë por që kanë ardhur me vonesë. Masat më të mira janë mos të qëndrojmë në grupe të mëdha, ajrosja e dhomës, përdorimi i sa më shumë lëngjeve dhe vitaminave”, tha Sadiku.
Infektologu foli edhe për Korona Virusin.
Ai tha se Kosova nuk ka ndonjë rast të paraqitur të Korona Virusit.
“Është një virus që është paraqit në dhjetor. Kosova nuk ka ndonjë rast të paraqitur të këtij virusi. Është një virus që bartet nga kafshët. Në kontakt me kafshët apo nga ushqimi i papërpunuar mirë. Ne po i marrim masat e nevojshme që të mbrohemi nga ky virus. Edhe ata që udhëtojnë nga Kosova në Kinë apo anasjelltas kalojnë disa aeroporte dhe me siguri që edhe aty kontrollohen nga organet mjekësore”, ka thënë Sadiku.