Sadiku për intelegjencën artificiale: Shumë njerëz do t’i humbin vendet e punës!
Inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku ka folur për inteligjencën artificiale (AI) dhe rolin që do ta ketë ky fenomen në humbjen e vendeve të punës.
Sipas Sadikut AI ka mundësuar që prej qasjes në informata të kalojmë në qasje në produktivitet.
“Domethënë prej qasjes në informata kemi mbërri në qasje në njohuri. Kjo ka qenë revolucioni i dytë i qasjes, tash e kena një diçka që të re që mundet me u quajt qasje në produktivitet, me AI. Tash e kemi njohurinë, i kemi informatat, i kemi në xhep njohuritë për gjithçka, por tash kemi edhe qasje në produktivitet. Çka na ka ofru AI, edhe çka është shumë interesant edhe që ende nuk po mundemi me konceptualizu bash mirë është që tash e kemi një vegël që edhe na kryn punë të caktume, punë mjaft të komplikume”, ka thënë Sadiku.
Duke folur për një shembull kur përmes inteligjencës artificiale mundësohet kumtimi i lajmeve në television, Sadiku ka thënë se do të shkohet edhe deri aty që moderatorja vet t’i mbledhë të dhënat e ta bëjë emisionin.
“Kjo është niveli i parë. Niveli i dytë është kur ti mundesh m’i thanë kësaj moderatoreje me hi në internet, me e shiku kohën, me i mbledh të dhënat, me i strukturu, me i paraqit në 20 ditët e ardhshme, me bo emisionin edhe me dalë vet me prezantu. Qekjo është qasje në produktivitet, më nuk është qasje në njohuri se ty më nuk të vyn njohuri, ti e ki një asistent”, ka thënë Sadiku.
Sipas tij, teknologjia ka shkuar aq larg saqë një auto-GPT apo chatbot mund ta bëjë planin e një kopshti dhe të të tregojë si mund të mbjellen bimët.
“Edhe sot me auto-GPT, me chatbot të ndryshëm ti mundesh me i thanë: Krijoma një bashqe në vendin ku jam une, jo me ta kriju kështu me i mbjell, por një ide, një plan në vendin ku jam unë edhe ai chatbot ka me hi ka me i lexu cilat bimë përshtaten në qat vend, sa e ki të madhe qat vendin tan që ti mundesh me i dhanë qeta, ku me i ble, ku me i porosit ato dhe ka me të tregu qysh me i mbjell edhe qysh me i rregullu. E mora një shembull shumë banal me tregu çka është produktiviteti. Domethënë komplet një koncept që ti ndoshta ish dashtë me përdor një kompani të ndryshme ose një inxhinier të planifikimit hapësinor, sot mundet me ta kry një chatbot i thjeshtë që është në telefon”, ka deklaruar Sadiku në ResPublika në Tëvë 1.
Sadiku thotë se shumë njerëz do t’i humbin vendet e punës por ata duhet të jenë të përgatitur e të gatshëm për t’u transformuar.
“Shumë njerëz kanë me i hup vendet e punës. Por kjo nuk është hera e parë në historinë e njerëzimit që njerëzit e humbin vendin e punës. Ka pasë revolucione edhe të mëhershme ku ka ndodh: makinat me avull, kompjuteri ku janë hjek ato qendrat llogaritëse shumë të mëdhaja, makinat me avull janë hjek përdorimi i njerëzve për bartje të peshave të rënda, etj. Nuk është hera e parë që njerëzimi po ballafaqohet me këtë send edhe mendoj që ka me u përshtat. Disa njerëz kanë me i humb vendet e punës por kanë me gjet vende të tjera. Gjithmonë ka me pasë nevojë për njerëz në një mënyrë apo tjetër. Por normalisht ka me u transferu ideja se për çka me i përdorë njerëzit, kohën edhe inteligjencën natyrale të cilët ata e kanë e që është pak larg kjo inteligjenca artificiale me u ballafaqu. Njerëzit duhet me qenë të përgatitun, me lexu dhe me qenë të gatshëm që me u transformu”, ka thënë Sadiku.