Sadiku: Refuzova Spanjën dhe Turqinë për Luganon
Armando Sadiku u huazua për pjesën e mbetur të sezonit te skuadra e Luganos në Zvicër, aty ku më parë sulmuesi i kombëtares njohu suksesin më të madh. Sadiku për “Supersport” tregoi arsyen e këtij vendimi dhe ndjenjat pas dëmtimit.
“Nuk kam pasur fat në Spanjë. Sa shkova pësova një frakturë në hundë e më pas pësova një ulje të formës”, ka thënë Sadiku.
Më pas sulmuesi elbasanas rrëfeu për periudhën e dëmtimit dhe fazën e rikuperimit. Ai theksoi se dëmtimi nuk e trembi sepse e kishte kaluar edhe më parë një situatë të tillë, madje te Levante janë surprizuar nga rikthimi i tij në stërvitje brenda katër muajsh. “Kam pasur një sërë ofertash: nga Liga e Dytë spanjolle dhe Turqia. Por, duke qenë se të dyja këto kampionate kanë filluar, mua do të më duhej të rrija një muaj sa të merrja veten, ndërsa në Zvicër kampionati fillon më vonë dhe kjo gjë i shkon për shtat situatës sime. Kam edhe dy vjet kontratë me Levanten, ndërsa te Lugano jam i huazuar deri në gjashtë muaj”, ka shtuar ai.
Sulmuesi kuqezi foli edhe për rënia e formës së Kombëtares së Shqipërisë dhe krizën e golit. “Jemi një kombëtare e vogël. Ne krijojmë dy ose tre raste për ndeshje. Unë kam pasur fatin t’i shfrytëzoj në maksimum rastet që më janë dhënë. Për çdo sulmues nuk është e lehtë. Gjatë vitit të kaluar patëm një ulje, por shpresoj që gjatë 2019-s të kthehemi si më parë”, ka deklaruar Sadiku.