Sadiku thotë se audio-incizimet s’ia lënë shenjë Kurtit
Opinionisti Ermal Sadiku sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur në lidhje me bisedën telefonike mes Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristit serb, Milan Radoiçiq.
Sadiku është shprehur se biseda e Kusarit me Radoiçiqin në aspektin politik nuk ka asgjë të keqe, por siç tha ai, është e tmerrshme ideja se çka është proklamuar nga qeveria.
“Unë mendoj që bisedimi i znj.Kusari me Radoiçiqin në aspektin politik nuk ka asgjë të keqe, por është e tmerrshme ideja se çka është proklamuar prej qeverisë se çka po ndodh edhe në fakt çka ka ndodh”, tha ai.
Sadiku foli edhe për deklarimin e Kurtit në lidhje me këtë çështje, duke thënë se ajo çka tha kryeministri, ishte pikërisht ajo që pritej, derisa Sadiku u shpreh edhe se kjo gjë nuk mendon se ia lë shenjë Kurtit.
“Kurti është fantastik në këto vallëzimet në gjuhë politike, unë mendoj se pikërisht pse është aq i mirë ai në këto biseda është edhe pse sot e ka përkrahjen e gjysmës së shtetit, se nuk është që e ka për ndonjë punë të hatashme që është duke ndodhur. Fjalimi i tij ishte pikërisht identik se çka është pritur prej kryeministrit, pikërisht me vallëzu nëpër përgjigje, me u nxjerr nga situate. Nuk mendoj që ia lënë shenjë”, u shpreh tutje ai.