Sadiku: Turqinë e respektojmë, dua të asistoj për Grezdën
Armando Sadiku mungon prej kohësh në kombëtare për shkak të një dëmtimi në gju që pësoi në verë me Levanten. Sulmuesi ka nisur të luajë, por në Zvicër.
Ai u transferua te Lugano dhe kërkon ta kapë formën maksimale. Në konferencë për medie të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit para ndeshjes me Turqinë foli për gjendjen fizike si dhe për kundërshtarin.
“Pas shtatë muajsh kthehem të luaj, jam i lumtur dhe me energji. Mezi pres të luaj dhe të shënoj. Jam mirë në aspektin fizik. Kam luajtur shtatë ndeshje atje, tre si titullar. Për momentin jam shumë mirë. Turqia ka lojtarë cilësorë dhe me emra. I respektojmë. Nuk i nënvlerësojmë se i mundëm në miqësore. Do ta japim maksimumin që të përsëritim atë ndeshje”, ka thënë Sadiku.
“Uroj të marrim gjashtë pikë në dy ndeshje. Edhe katër janë ‘ok”. Kemi vënë bast me trajnerin, po morëm 6, do të na dhurojë diçka. Duhet të jemi bashkë të gjithë si grup, vetëm kështu mund t’i përsërisim rezultatet e shkuara. Grupi është dhe mund t’ia dalim. Atmosfera është e mirë. Edhe afrimet duhet t’i ndihmojmë të futen në ekip. Për momentin atmosfera është e mirë. Unë e di që është grumbulluar. Do të isha më i gëzuar po ta asistoja unë për Erosin. Gjithmonë më ka thënë se do të jap top dhe do të shënosh. Kështu që do të jem shumë i lumtur po asistova. Grupi është i vështirë, Me Islandën dhe Turqinë luhet kualifikimi. Uroj të kemi edhe fat. Nëse bëhemi grup, që të ndihmojmë njëri-tjetrin, do t’ia dalim. Kam besim te vetja dhe tek ekipi”, ka deklaruar Sadiku, i cili bëri me dije se nuk e njeh Durmishajn.