Safete Hadergjonaj fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

22 nëntor 2023 | 16:15

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Safete Hadergjonaj me kodin W0441, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Hadergjonajn ka filluar që ta marrë në pyetje avokati i Pjetër Shalës, Jean-Louis Gilissen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo në fillimin e dëshmisë, ka thënë se para luftës ka qenë mësimdhënëse në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

“Po kam punuar, pasi kam përfunduar Fakultetin Ekonomik në vitin 1997 kam filluar punën në gjimnazin ‘Vëllezërit Frashëri’ në Deçan si mësimdhënëse e lëndëve ekonomike, aty kam punuar shtatë vjet, katër vjet kam punuar në institucionin e shkollës në gjimnaz. Në vitin 1990 na e kanë mbyllë shkollën pushtuesit serbë, përmes policisë na e kanë vu bllokadën në derë dhe kemi mbet jashtë, nxënësit dhe profesorët dhe jemi detyruar ta organizojmë mësimin nëpër oda, në shtëpi private, ku kam punuar edhe katër vjet aty”, ka thënë Hadergjonaj.

Dëshmitarja ka thënë se ka pasur edhe një biznes me vëllanë e saj, të cilin ia kishin mbyllur pushtuesit serbë.

“Bashkë me vëllaun tim kemi hapë një agjenci turistike dhe kam punuar deri në vitin 1998 kur kanë ardhur Policia e Serbisë na e kanë mbyllë atë agjenci dhe jemi detyruar që të qëndrojmë në shtëpi”, ka thënë Hadergjonaj.

Më tutje, ajo ka thënë se që nga viti 2004 deri në vitin 2019 ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa tani është profesoreshë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Pas mbrojtjes, pyetjet për dëshmitaren Safete Hadergjonaj do t’i parashtrojnë përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ndryshe, Hadergjonaj në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës është dëshmitarja e gjashtë e mbrojtjes.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka siguruar kualifikimin në “Euro 2024”…