Sagnol: Zidane u ndëshkua për faj të Wiltordit
Ndëshkimi me karton të kuq i Zinedine Zidane, në ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren e “gjelave”, pikërisht finalen e Berlinit të fituar nga Italia në Botërorin e vitit 2006, ka ardhur për shkak të Sylvain Wiltord.
Ky është rrëfimi i ish-mbrojtësit Willy Sagnol, thuajse 12 vite pas episodit të trishtë për një kampion të madh si Zizou. Sipas Sagnol, faji është i Wiltordit, që nxori topin jashtë vijës anësore, për t’i bërë të ditur arbitrit atë që po ndodhte në pjesën tjetër të fushës.
Sagnol ishte në fushë atë ditë, ndërkohë që rrëfimin e ka bërë gjatë transmetimit të emisionit “Le Vestiaire” në televizionin “SFR Sport 1”. Gjithnjë sipas tij, pasi Zidane goditi me kokë Marco Materazzin, Wiltord duhej të kishte vazhduar lojën.
Por çfarë ndodhi asokohe? Kur kishin mbetur edhe 6 minuta nga fundi i pjesës së dytë shtesë, topi ishte nën zotërimin e Claude Makelele, i cili ia pasoi Wiltordit në rrethin e gjysmëfushës. Sulmuesi i “Les Bleus” kontrolloi topin, por më pas u ndal, duke hedhur vështrimin në atë që po ndodhte në gjysmëfushën e ekipit kundërshtar.
Arbitri Horacio Elizondo ndërpreu ndeshjen dhe u afrua drejt zonës ku kishte zhvillime. Materazzi ishte i shtrirë përtokë, i goditur nga Zidane. Ishte pikërisht gjyqtari i katërt i ndeshjes që kishte parë përsëritjen në videoprojektorë dhe numri 10 i francezëve u ndëshkua me karton të kuq.
“Nëse Sylvain nuk do ta kishte nxjerrë topin jashtë fushe – u shpreh me keqardhje Sagnol, – besoj se arbitri nuk do ta kishte marrë kurrë vendimin për të ndërprerë lojën”. (Top Channel)