Sahat-kulla dhe ora elektronike

15 janar 2024 | 08:53

ZYMBER ELSHANI

Sahat-kulla po ndihej e molisur. Akrepat e orës së saj po lëviznin me vështirësi. Mekanizmat e saj të punës, që dikur aq me lehtësi zhvendoseshin, tash më tepër po krikëllonin.

“Çka më gjeti kështu? – e pyeste ajo veten. – Si u katandisa në këtë gjendje të mjerë?”

Shpejt pastaj i kujtohej vetja kur ishte e re, e fortë, e sigurt në ecjen e vet. Ishte në atë kohë për t’i lakmuar: në tërë qytetin njihej si bukuroshe që e magjepste syrin e kalimtarit. Pastaj kumbimi, kumbimi i saj që i tregonte orët kur bëheshin të plota.

– Tang! – ora një.

– Tang, tang! – ora dy.

– Tang, tang, tang! – ora tre.

E kështu me radhë. Sikur i zgjonte nga gjumi njerëzit. I përkujtonte se koha s’po ndalej, po rridhte me pahetueshmërinë e saj të përhershme. E njerëzit, besa, vetëm që kishin dobi nga puna e saj e saktë. Kalimtari që hetonte se do të vonohej në zënien e trenit, kur shikonte orën, kujtohej se duhej t’i shpejtonte hapat më tepër e të mos zvarritej si kërmill; nxënësi që ishte nisur për shkollë, sa e shihte orën, Sahat-kullën, e dinte se edhe pak do të fillonte ora e parë e mësimit; shitësi i librarisë, i cili duhej ta fillonte punën në kohën e caktuar që turma e njerëzve mos ta priste, dëgjonte kumbimin e saj dhe shpejt bëhej gati të mësyjë drejt librarisë; rrobaqepësi, i cili një myshteriu ia kishte caktuar kohën kur duhej të vinte e t’i merrte rrobat e qepura e të bëra gati, sapo e vidhte me sy Sahat-kullën, i vihej makinës sipër dhe rrobat bëheshin gati sa ora.

Kështu Sahat-kulla ishte bërë ora e përbashkët e tërë qytetit. Madje, në ditët e pazarit, shërbeheshin me të edhe njerëzit të cilët nuk ishin banorë të qytetit, por vinin nga fshatrat e largëta për të bërë tregti. Në përcjellje të ecjes së akrepave të Sahat-kullës e dinin se kur duhej të niseshin për t’u kthyer në shtëpitë e tyre që të mos i zinte terri. Me anë të Sahat-kullës njerëzit e matnin kohën: mën­gjesin, mesditën, mbrëmjen, mesnatën… Vogëlushët e dinin kur prindërit ktheheshin nga puna, vashat dilnin në takime sipas kohës që tregonte Sahat-kulla…

Kështu ishte para disa vjetësh, kur Sahat-kulla si një vashëz e shkathtë kryente punën e saj të përhershme dhe zbukuronte qytetin me bukurinë që kishte. Por vitet po kalonin dhe Sahat-kulla, ngadalë-ngadalë, po e humbte bukurinë e saj të dikurshme. Për më tepër, çfarë nuk kishte ndodhur përpara, ajo zuri të tre­gohej edhe e pasaktë: herë ngutej më tepër sesa duhej të ngutej, herë vonohej më shumë sesa duhej të vonohej. Bile-bile, më vonë, ndalej plotësisht: një ditë, dy ditë, një javë…

Duhej të ndërhynin orëtarët më të njohur të qytetit që ajo, Sahat-kulla, përsëri të vihej në punë e ta maste kohën me saktësi. Por jo për shumë kohë. Prapë ndalej. S’lëvizte orë të tëra. Ç’është e vërteta, njerëzit tashmë, shumica, kishin bërë orë dore dhe shër­beheshin me to, por brengoseshin pse Sahat-kulla nuk punonte si dikur dhe s’mund ta bënin rregullimin e orëve të tyre sipas saktësisë së Sahat-kullës. Pastaj as kumbimin e saj nuk mund ta dëgjonin, atë kumbimin i cili shënonte e tre­gonte orët e plota…

“Qyteti përditë e më tepër rritet, kurse Sahat-kulla nuk punon. Çfarë është kjo?”, – pyesnin njerëzit.

“Qyteti i cili s’e ka një orë të përbashkët, të madhe, për ta treguar kohën e saktë për të gjithë, ai nuk është qytet siç do të duhej e mundej të ishte”, shprehnin mendimin e tyre disa të tjerë.

“Por qyteti ynë e ka Sahat-kullën!”, arsyetoheshin të tjerët.

“Sahat-kullën thoni?! E që sa muaj ajo nuk lëviz fare as i tregon orët? Ë? Ajo është bërë për muze!”

“Ore, mos u ngutni! – u dëgjuan disa më të arsyeshëm. – Qyteti ynë, i cili po rritet dita-ditës, do ta ketë orën e madhe për të gjithë banorët e tij. Do të jetë kjo, në doni të dini, o r ë e l e k t r o n i k e.”

“Orë elektronike?!”

“Po, fjala e fundit e teknikës. Do të tregojë kohën me një për­pikëri të madhe. Datën. Temperaturën…”

Vërtet, pas disa ditësh, në ballin e një ndërtese të lartë të qytetit u vendos ora elektronike. Bukuria e saj – mahnitëse; saktësia e saj – fantastike. Prodhim i elektronikës moderne. Zëvendësim i denjë i Sahat-kullës së dikurshme punëtore, e tash, të dalë në pension…ë

Marrë nga libri “Peshkatari plak dhe tregime të tjera”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
SALI BYTYQI Kishte pasur fatin e keq të lindte në…