Sahatqija: ‘Non-paper’-at duhet të kundërshtohen, rrezikojnë shtetësinë e Kosovës

29 prill 2021 | 13:48

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Teuta Sahatqija, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi dhe dy dokumentet “non-paper” të cilat po qarkullojnë kohëve të fundit në medie.

Në një konferencë për medie, Sahatqija ka folur edhe për orientimin e LDK-së karshi dialogut, duke thënë se kjo çështje duhet të merret me përkushtim të madh dhe jo vetëm për anëtarësimin e këtyre dy vendeve në BE, por për sigurimin e paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon.

“LDK-ja do të luajë rolin e vet konstruktiv, ashtu siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe siç e kërkon rezoluta. LDK-ja do të luajë rolin në mënyrë që dialogu të përfundojë me sukses, me njohje reciproke. Duhet të bëhen përgatitje substanciale, një transparencë që kërkohet në çdo dokument që është obligim për qytetarët të cilët kanë votuar dhe kërkojnë të dinë çka po ndodh. Vendosja e parimeve bazë, duhet së paku të ketë parime bazë mbi të cilat do të ndërtohet vazhdimi i këtij dialogu, përgatitja serioze duhet të jetë pjesë e përpilimit të një platformë të duhur për Kosovën që Kosova të dalë sa më mirë në përfundim të këtij dialogu. Në parim, duhet të jetë e kushtuetshmërisë e sovranitetit, e integritetit territorial i Kosovës”, ka thënë ajo, duke shtuar ShBA-ja duhet të ketë rol aktiv në procesin e dialogut.

“Roli i ShBA-së duhet të jetë rol më i fuqishëm dhe të jetë pjesë, janë aleat natyral i Kosovës. ShBA-ja duhet të vazhdojnë dhe të fuqizojnë rolin e tyre në përfundimin e këtij dialogu”, ka thënë ajo.

Më tutje, Sahatqija ka kërkuar që ‘non-paper’-at duhet të kundërshtohen pasi sipas saj në thelb rrezikojnë shtetësinë e Kosovës.

“Ndonëse këto dokumentet nuk kanë autorësi, por ju e dini që në diplomaci ‘non-papers’ përdoren si testim i terrenit dhe përgatitje. LDK-ja mendon që këto janë dokumente të cilat fuqishëm duhet të kundërshtohen, në thelb rrezikojnë shtetësinë e Kosovës dhe si të tilla nuk duhet të heshtet por të kundërshtohet”, është shprehur Sahatqija.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia gjermane e zbulimit njoftoi vendosjen nën survejim të mohuesve…