Saime Isufi: Çdo tregim i Ganiut kishte shenja identifikuese të atdhetarizimit
Këndvështrimi im rreth librit të Gani Sylajt: “Shenja e përkatësisë”
Shkruan: Saime Isufi
Duke e njohur çdo ditë e më shumë veprimtarinë atdhetare, patriotike, e intelektuale; të një njeriu të gjithanshëm, e si veprimtar i palodhur i orëve të para të veprimtarisë ilegale, Gani Sylajn dhe për të mësuar edhe më shumë rreth figurës dhe veprimtarisë së tij, lexova me një frymë librin me tregime
“Shenja e përkatësisë”, e botuar pas largimit të tij nga jeta. Shpresoj dhe pres që të vazhdojnë të botohen veprat e tij në dorëshkrim.
Ganiu, ashtu siç pata fatin ta njoh e të bashkëpunoj me të për arsimimin e fëmijëve shqiptarë në Zvicër, me thjeshtësinë prej një veprimtari, atdhetari e intelektuali të përkushtuar, e shoh të shfaqet në këtë vepër me gjithë talentin dhe përkushtimin e tij prej lexuesi të pasionuar, studiuesi, vizatuesi, shkrimtari e udhëheqësi në luftë për atdhe. Ganiu është një intelektual i plotësuar dhe me këmbë në tokë, duke bërë punë të mëdha, pa iu ndier zëri , pa u mburrur e krekosur, siç shohim tipa të tillë përditë.
Ganiu, ashtu siç qe i thjeshtë në jetë edhe në veprën «Shenja e përkatësisë», ashtu thjeshtë ka paraqitur ngjarje të ndryshme nga jeta e përditshme që nga koha e fëmijërisë së hershme e deri në çlirimin e Kosovës. Në tregimet e tij të para si: «Udhët e shumta», «Vrasja e Kadri Belit», tek mësuesi Fazli Graiçevci përballet me të panjohurat dhe me diçka që nuk shkonte; me disa fjalë të ndaluara, të cilat që fëmijë do t’i shkruante natën në heshtje në ajër. Do t’i shkruante në heshtje fjalët: Fazli e Atdhe.
Në të 24 tregimet autobiografike, Ganiu ka përshkruar çaste të veçanta të jetës së tij që fëmijë deri në çlirimin e Kosovës, e të cilat detyrimisht nuk mund të kishin tjetër temë, pos asaj patriotike e atdhetare, sepse vetë jeta e Ganiut, që fëmijë e deri në fund ishte Atdheu dhe liria e tij.
Ganiu dëgjon me ëndje përrallat për kreshnikët nga xha Braha, vazhdon të dëgjojë historinë nga daja i tij të bimës fir dhe ngjashmërinë me shqiponjën. Secili tregim i Ganiut në libër është i lidhur me një simbol, me një ngjarje, me një shenjë identifikuese të atdhetarizmit si dhe shpirtit human e luftarak të tij. Nuk mund të lë këtu pa përmendur edhe punën edukativo-arsimore të tij si mësimdhënës në shkollë. Aty Ganiu do të fitonte autoritetin prej intelektuali e pedagogu përparimtar, i cili përveç punës edukativo-arsimore, do të fitonte autoritet dhe besim në popullatën e asaj ane, ku njerëzit do t’i drejtoheshim edhe për këshilla e përkrahje, siç ishte rasti i Bukurijes në tregimin: «Ik Bukurije», ose në rastin e nxënësit i cili nuk donte të shkonte në shkollë, te rrëfimi: »Rexhep Dugolli» dhe ai me mënyrën e tij prej pedagogu, do ta bënte këtë fëmijë të hynte në klasë e të vijonte mësimin.
Si nxënës Ganiu do të përballej me padrejtësitë që ndodhnin në infrastrukturën e Prishtinës, e cila gjymtohej e bastardohej me shenja jugosllave. Do të përjetonte në korzon e Prishtinës diferencimin: shqiptarë- serbë.
Aftësi të jashtëzakonshme Ganiu kishte në lidhjen me masat. Ai me thjeshtësinë që e karakterizonte, hynte shpejt në bisedë me ta dhe në hallet e tyre, duke i bërë për vete dhe pastaj duke i zgjedhur dhe futur në radhët e organizuara. Këtë formë lidhjeje me masat, pa filozofuar, por krejt natyrshëm, e përshkruan në tregimin e tij : «Mysafir rasti në Haraçinë».
Dhe në fund, «Shenja e përkatësisë”, është një ndër xhevahiret e Ganiut, i cli fatkeqësisht u nda herët nga jeta.
Ai kishte akoma për të thënë e për të shkruar për gjithë veprimtarinë dhe jetën e bujshme atdhetare. Ganiu u shua si meteor në korrikun e vitit të kaluar. Pak muaj para se të ikte nga kjo jetë, pikërisht në muajin prill, kontaktova me të, pasi kisha lexuar librin e tij: «Ilegal viteve shtatëdhjetë» dhe desha ta uroja. Pasi e përgëzova për librin dhe ia shpreha habinë por edhe konsideratën për atë punë aq të madhe atdhetare në shërbim të atdheut, të cilën nuk e kisha njohur në tërësi, i thashë shprehimisht: – paske qenë prush i mbuluar Gani. Nuk të paskam njohur… Ai me thjeshtësinë që e ka karakterizuar gjithmonë, krejt gjaktftohtë, nuk u krekos dhe as u entusiazmua, por filloi të tregonte se ishte duke mbledhur materiale për librin e radhës, për të cilin më kërkoi edhe mua të shkruaja. Shkrova pjesën time dhe ia dërgova. Shpresoj dhe besoj se edhe librat tjerë të tij, lënë në dorëshrkim, do ta shohin dritën e botimit. Dhe ne presim… Dhe kështu me veprat e tij, Ganiun do ta kemi gjithmonë mes nesh.
Zvicër, 22, prill. 2020