Sainz: Dua ta mbyll mirë vitin e fundit te Ferrari
Piloti spanjoll i Ferrari, Carlos Sainz, nuk e ka vendosur ende destinacionin e tij për vitin 2025, gjë që do të ndodhë pas disa muajsh. Ai do t’i lërë vendin Lewis Hamilton, që do të vijë të “kokëkuqja” në fund të këtij viti.
“Nuk e di ende ekipin tim të ardhshëm. Kam pak kohë për të vendosur se cila është”, ka thënë Sainz.
“Kam shumë opsione. Këtë vendim do ta marrim në muajt në vijim. Mendoj se kam thënë se doja të rregulloja të ardhmen time para garës së parë, por tani skenari ka ndryshuar shumë, siç mund ta imagjinoni”, u shpreh Sainz, në sezonin e tij të fundit me Ferrari.
“Procesi do të jetë më i gjatë, por mund të jem i sigurt se kur të marr vendimin do t’i kem dhënë vetes kohë dhe informacion të mjaftueshëm. A mund të ndikojnë diskutimet për ekipin e ri në punën në pistë? Besoj se është e pamundur të ndaj një gjë nga tjetra, por synimi im tani e tutje do të jetë të bëj mirë testet në Bahrein, pa menaxhuar sezonin”, ka përfunduar Sainz.
Spanjolli do të kishte preferuar të kishte një situatë më të përcaktuar kontraktuale në fillim të sezonit, para se të niste testimet. Sainz nuk ngutet, sepse e di mirë që është një nga pilotët më të vlefshëm në treg. Në gjurmët e tij janë Mercedes dhe Sauber/Stake (me një dritare të qartë në Audi në 2026), por edhe Aston Martin nëse Fernando Alonso do të largohej.