Sainz: Kjo është makina më e mirë Ferrari që kam pilotuar
Një ditë pas debutimit të makinës Ferrari, piloti spanjoll Carlos Sainz ka folur për njëvendëshen që do të pilotojë këtë sezon. Ky është sezoni i tij i tretë me “kokëkuqen”, që pritet të jetë edhe më i miri, pas triumfit të parë në karrierë në Formula 1 vitin e kaluar.
“Makina e re është ende si një foshnjë që duhet të rritet, por në provën e parë gjërat shkuan mjaft mirë. Ferrari arriti të sjellë që në testin e parë një makinë që nuk pati asnjë problem. U argëtuam bashkë me Charles Leclerc, duke u munduar edhe ta kuptojmë makinën e re”, ka thënë Sainz. “Dy gjëra më bënë shumë përshtypje dhe ia komunikova skuadrës: Isha shumë komod në makinën e re, njësoj sikur të isha ulur në divan si dhe u përshtata shumë shpejt me të. Këto janë gjëra të rëndësishme, pasi do të kalojmë orë të tëra duke pilotuar këtë makinë”, u shpreh spanjolli.
“Një makinë që tani për tani më kënaq, Ferrari më i mirë që kam pilotuar deri më tani. Duhet të pranoj se është bërë një punë shumë e mirë në çdo aspekt, edhe në pamjen e jashtme. Gjithsesi, është shpejt për të parë çdo detaj dhe anën teknike. Tani të shohim edhe disa teste për të parë ku jemi me rivalët”, ka shtuar Sainz.