SAKTËSI GJUHËSORE, JO LOJË FJALËSH
Shkruan: Jakup Krasniqi
Pas votimit të Delegacionit qeveritar në Kuvendin e Kosovës më 15 dhjetor 2018, Dardan Sejdiu paska thënë: “Hera e parë që kemi prej nisjes Kuvendin në timon të dialogut”. Por, votimi i sotëm timonin për dialog nuk ia la në duar Kuvendit se edhe ashtu nuk mund t’ia merrte diçka që e kishte ai. Nëse përdorim saktësinë gjuhësore duhet të thuhet: Timoni për dialog (bisedime) me Serbinë prej sot është në duart e Delegacionit që u miratua në Kuvendin e Kosovës e jo në duart e Presidentit. Kjo mund të thuhet dhe duhej të thuhej.
Pse?
Me votimin e Rezolutës së propozuar nga PSD-ja, Kuvendi nuk ka marrë asnjë kompetencë që nuk e kishte, por i ka dhënë fuqi funksionimi një Delegacioni qeveritar për të biseduar me Serbinë në Bruksel. Natyrisht, materia ose rezultati i bisedimeve sërish duhet t’i kthehet Kuvendit, i cili është organi i vetëm që marrëveshjes së mundshme (nëse arrihet!),i a jep legjitimimin, siç ia jep çdo ligji, i cili pastaj zbatohet nga Qeveria ose siç bën ratifikimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare me dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, që do të thotë për Marrëveshjen e Normalizimit me Serbinë duhet të votojnë 80 deputetë nga 120 sa i ka Kuvendi ynë.
E gjithë çështja është: Cilësia e marrëveshjes së arritur! Këtu duhet të bëhet i tërë përqendrimi i Delegacionit të Qeverisë në bisedimet e Brukselit. Cilësia është e rëndësishme, kur të jetë arritur kjo, ratifikimi i saj në Kuvend nuk do të duhej të ishte problemi!
Prandaj, është e rëndësishme kur përfaqësuesit e popullit e kanë saktësinë gjuhësore në të folur e në të shkruar! E ata, sa herë i drejtohen opinionit publik duhet ta dinë se jo të gjithë shqiptarët janë analfabetë potencialë!
Ndërsa opozita në konstelacionin e ri të forcave në Kuvend, duhet të bëhet pjesë e Delegacionit qeveritar të miratuar për të dhënë kontributin e saj nga fillimi i dialogut, kuptohet duke lënë anash retorikën e fjalëve. Pjesëmarrja e opozitës në felegacionin e Qeverisë për bisedime është e rëndësishme për vendin dhe padyshim ndihmon në cilësinë e marrëveshjes!
Tani koalicioni i ka numrat edhe pa Listën serbe! Votimi i djeshëm e konfirmoj ketë.