Salahi nuk e përshëndet, Ramosi e provokon (Video)
Shorti i një dite më parë për fazën e grupeve të Championsit, i hedhur në Montekarlo, pati edhe disa momente të tensionuara.
Përveç polemikave për mungesën e vlerësimit të Cristiano Ronaldos, i mposhtur nga ish-shoku i tij i skuadrës Modriç, pati edhe një zhvillim jo të këndshëm mes Salah dhe Sergio Ramos.
Raporti mes dy lojtarëve nuk ka sesi të jetë i mirë, pas asaj ndërhyrjeje të ashpër të mbrojtësit madrilen ndaj sulmuesit egjiptian të Liverpoolit në finalen e Championsit të edicionit të kaluar, me egjiptianin që u detyrua të dilte para kohe nga fusha për shkak të problemit në shpatull.
Distancimi mes të dyve u pa edhe në Montekarlo. Salah bëri gjithçka për të evituar shtrëngimin e duarve me Sergio Ramosin, i cili nuk e priti mirë dhe u “hakmor” gjatë ceremonisë së shortit.
Pasi zbriti nga podiumi me çmimin e “mbrojtësit më të mirë” të Championsit të kaluar, spanjolli i Realit mendoi të “përshëndeste” egjiptianin që ishte ulur në radhën e parë, me një prekje në shpatull, e interpretuar nga shumëkush si provokim.
Një gjest që nuk u vlerësua as nga Salah, i cili mbeti totalisht pasiv. Episodi po bën xhirot e rrjeteve sociale dhe medieve sportive në botë. /TCH/