Saldues, profesioni më i kërkuar në tregun e Kosovës
Të martën në Prishtinë është mbajtur konferenca “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”, e cila është organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës në bashkëpunim me EYE- Enhancing Youth Employment (Projekt i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim).
Në këtë konferencë u diskutua rreth aftësive të cilat kërkohen në industrinë e metalit, me fokus në lëmin e saldimit.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë kjo temë është e një rëndësie të veçantë, pasi industria e metalit është sektor me potencial në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Pa pasur punëtor të shkathët nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Vetëm me ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, që është një investim rreth 1.3 miliard euro, do të ketë nevojë për punëtorë të kualifikuar”, ka thënë Panxha.
Kurse, drejtor i programit EYE, Timothy Sparkman, ka thënë se ky projekt katërvjeçar i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, ka për qëllim zhvillimin sistematik të një partneriteti afatgjatë me sektorin privat, duke i mbështetur mundësitë e punësimit dhe duke lehtësuar tranzicionin në tregun e punës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka shprehur gatishmërinë për përmirësimin e situatës aktuale në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai ka bërë me dije se me Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik do të përfshihet ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” dhe zhvillimi i Trepçës, ku pritet të ketë ketë edhe investime të huaja.
“Në vitin e ardhshëm me fillimin e ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ do të nevojiten punëtorë të kualifikuar, sidomos në saldim. Ju siguroj se me nënshkrimin e kontratës me Countour Global për termocentralin ‘Kosova e Re’ është paraparë që në kushte të barabarta t’u jepet përparësi kompanive lokale dhe të ndahet një fond për zhvillimin e shkathtësisë për saldim”, ka thënë ministri Lluka.
Ndërsa, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, është shprehur optimist me rritjen e kërkesës për vendet e punës. Ai ka theksuar se së bashku me kompanitë private do të kenë marrëveshje për zhvillimin e kurrikulave edhe në aspektin e praktikës.