Sali Bashota: Mos e prekë derën me dorë (vargje nga vetizolimi)
Shkruan: Sali Bashota
MOS E PREKË DERËN ME DORË ( vargje nga vetizolimi)
Thuaj shpirtit ngujohu edhe disa ditë me diell
Netët ofshajnë më pak sa herë ëndrrat zgjasin lumturinë e tyre
Mos dil nga shtëpia se frika është për njeriun
Edhe kur çelin lulet në kopshtin e trëndafilave
Asnjë vashë me sy të bukur më nuk do t’i ujisë me lot
Ujë kanë vetëm ata sy që donë me plasë nga vetmia
As derën mos e prekë me dorë mos
Aty zgjohen instinktet e gjallesave të përgjumura
Askush nuk di çka është me ikë nga vetvetja
Kur të gjithë i duan kafshët
Dikush edhe macet e të gjitha ngjyrave
Të tjerët devet qafëpërkulura me shumë gunga
Thuaj shpirtit ngujohu edhe disa ditë
Nëse vdekja e gulçuar niset në secilën minutë
Kur thonë mos me puthë më
Kur thonë mos me përqafuar më
Kur thonë mos me shtrënguar duar më
Ndoshta vetëm me dashtë njëri- tjetrin
Asgjë më shumë (Prishtinë, 22 mars 2020)