Sali Berisha komenton kandidaturën e Ramush Haradinajt për president
Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka komentuar kandidaturën e Ramush Haradinajt për president të Kosovës.
Teksa është pyetur se a duhet që Haradinaj ta udhëheq postin më të lartë të shtetit, Berisha ka thënë që pavarësisht që nuk përcakton funksione e poste, lideri i AAK-së ka mbajtur qëndrime dinjitoze në gjitha rrethanat e karrierës së tij.
“Jo vetëm shqiptarët që u ndjenë krenar, por në atë kohë mbaj mend si sot kur presidenti amerikan Bush bëri një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë për qëndrimin dinjitoz të kryeministrit Haradinaj. Kështu që, unë nuk jam për të përcaktuar çfarë funksionesh dhe postesh, por unë mund të them se Haradinaj ka mbajtur qëndrime dinjitoze në të gjitha rrethanat e karrierës së tij”, është shprehur Berisha, në një prononcim për “Syri TV”.
Berisha ka rikujtuar edhe një moment të Haradinajt që la të gjitha postet që kishte për t’iu përgjigjur thirrjes së Hagës.
“Pa ndërhyrë kategorikisht në asnjë lloj posti, Ramush Haradinaj mund të them se ka atribuuar dinjitet dhe burrëri edhe në detyrë por edhe në fatkeqësi. Mos harroni një̈ moment, 15 vjet më parë Haradinaj ishte kryeministër dhe e kërkuan në Hagë, ai dha dorëheqje dhe u nis drejt Hagës në një kohë kur udhëheqësit serb që kërkoheshin nga drejtësia ndërkombëtare futeshin në vrima të miut”, ka thënë̈ Berisha.