Sali Berisha: Mosndryshimi i kufijve, qëndrim për t’u përshëndetur
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur deklaratën kancelares gjermane, Angela Merkel, për mosndryshim të kufijve në Ballkan.
Berisha në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ky qëndrim i Gjermanisë është kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Ky qëndrim i kancelares është për t’u përshëndetur si një kontribut real për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo është përgjigja e merituar ndaj përpjekjeve të Beogradit dhe argatëve të tij në Prishtinë për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për copëtimin e ri të Kosovës, ndarjen e saj, zhbërjen e fitores së luftës së shqiptarëve të Kosovës dhe NATO-s kundër Serbisë së Millosheviqit, dhunimit të të gjitha akteve ndërkombëtare për integritetin territorial të Kosovës, dhunimin e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit, dhe dokumentit Ahtisari. Kjo përpjekje është një zhbërje e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën dhe vetë aktit të pavarësisë së Kosovës, 116 njohjeve të saj në kufijtë aktualë”, ka shkruar Berisha, duke shtuar se me këtë qëndrim Gjermania, gjithashtu kundërshton hapjen e kutisë së Pandorës dhe privokimin e një zinxhiri të ri konfliktesh në Ballkan.
/Epoka e re/