Sali Berisha në protestë: Po burgosem pa të drejtë, kjo është diktaturë
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është shprehur se masat që po merren ndaj tij nga drejtësia janë pa asnjë akuzë. Ai ka dalë sot në protestë, duke thënë se po tentohet të burgohet pa të drejtë.
“Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë”, ka thënë ai në protestë.
Sipas tij është shkelur Kushtetuta duke u kërkuar heqja e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në Kuvend. “U shkelën ligjet dhe rregullorja e Kuvendit në mënyrën se si u votua heqja e imunitetit të tij. Nuk po përmend as standardin e dyfishtë dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese. Le t’i lëmë mënjanë këto, por më thoni ju mua, pse duhet kyçur në shtëpi pa asnjë dokument, fakt apo provë Sali Berisha? Vetëm e vetëm pse i ka kallur tmerrin, datën, monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës?”.
“Kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë”.
“Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, kjo është diktaturë. Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë. Shqiptarë zgjohuni se po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit, me Bjellorusinë e Lukashenkos, me Venezuelën e Maduros dhe juntën ushtarake të Mianmarit. Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë”, ka thënë Berisha.
Berisha i qëndron bindjes se do ta fitojë këtë betejë.
“Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre. A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”, ka thënë Berisha./TCh